Barcelona në bisedime për transferimin e yllit të Arsenalit

Arsenali përfundoi sezonin e kaluar në vendin e dytë në Premier League, pas Liverpoolit, pa arritur të fitojë ndonjë trofe.

Trajneri Mikel Arteta ka në plan përforcime për të ngushtuar diferencën me rivalët, të cilët tashmë janë aktivizuar në merkato, përfshirë blerjen e Jeremie Frimpong nga Bayer Leverkusen.

Megjithatë, klubi londinez mund të humbasë një prej lojtarëve të tij kyç, Thomas Partey, para nisjes së sezonit 2025/26.

Sipas gazetës The Sun, Barcelona ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e mesfushorit ganez për një transferim pa pagesë këtë verë, pasi kontrata e tij me Arsenalin skadon në fund të qershorit dhe ende nuk është arritur një marrëveshje e re.

Arteta ka shprehur publikisht dëshirën për ta mbajtur Parteyn, i cili është pjesë e Arsenalit që nga tetori 2020, kur u transferua nga Atletico Madrid për 45 milionë paund.

Megjithatë, negociatat për rinovimin po ecin ngadalë dhe kjo ka inkurajuar interesimin e Barcelonës, e cila kërkon të përforcojë mesfushën në mënyrë ekonomike.

Partey shihet si një opsion i leverdisshëm për skuadrën e trajnerit të ri Hansi Flick, i cili e admironte që prej kohësh lojtarin 31-vjeçar.

Mesfushori dëshiron të qëndrojë në Londër, pasi ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me Artetën, por po kërkon një kontratë që të mos përfshijë ulje të ndjeshme në pagë.

Arsenali pritet t’i ofrojë një zgjatje të shkurtër kontrate — një vit me opsion për një vit shtesë — ndërsa negociatat vazhdojnë.


Shtuar 1.06.2025 23:09