Fizioterapistët dhe trajnerët e fitnesit të Barcelonës po punojnë pa u lodhur, për të rikthyer shpejt në fushë lojtarët e shumtë të dëmtuar të Hansi Flik.
Bëhet fjalë për Lamine Jamal, Rafinja, Fermin, Gavi, Joan Garsia dhe Ter Shtegen që janë të gjithë jashtë fushave. Megjithatë, midis tyre, vëmendja është tek spanjolli i talentuar 18-vjeçar.
Trajneri gjerman i tronditi tifozët e Barçës kur, në një konferencë për shtyp, pranoi se “nuk mund të garantonte praninë e Lamines për El Clásicon më 26 tetor kundër Real Madridit”, por në orët e fundit, një optimizëm është shfaqur.
Sulmuesi duhet të rikuperohet me kohë dhe madje mund të kthehet kundër Gironas, disa ditë para ndeshjes së madhe. Plani i rikuperimit të lojtarit të ri është jashtëzakonisht i ngushtë.
Lamine nuk do të jetë gati të luajë 90 minuta, por qëllimi është që ai të rikthehet në skuadër për të rifituar ritmin dhe vetëbesimin.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, ai do të kthehet në stërvitje me grupin më 18 tetor, duke u bërë i disponueshëm për ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Olimpiakos (21 tetor) dhe më pas për El Clasicon në Bernabeu.
Për të shmangur çdo rrezik, Flik dhe stafi mjekësor ranë dakord me Federatën Spanjolle të Futbollit që të mos e lejonin të udhëtonte me ekipin kombëtar.
Fillimisht i thirrur nga Luis de la Fuente, Lamine më vonë u lirua nga detyra pas raportit të ri mjekësor të Barçës.