Kombëtarja shqiptare ka barazuar në transfertë përballë Letonisë, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 4-t të kualifikueseve të Botërorit.
Sfida e zhvilluar në Riga, përfundoi në barazim 1-1. Në përfundim të këtij dueli ka folur edhe Rey Manaj.
“Normalisht isha i kënaqur kur shënuam golin e 0-1. Por pastaj si mori ndeshja, nuk ishim shumë të përqendruar. I thashë çunave, më mirë ta hidhnim topin sipër. Ndodhin edhe këto situata, por të ulim kokën, të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivin në këto eliminatore. Autogol apo gol? Besoj se e prek unë në fund me gjoks. Megjithatë, rëndësi ka Shqipëria”, tha Manaj.
Ilda Bejleri: E vështirë të shënojmë?
Rey Manaj: Sepse po luajmë për Kupën e Botës, normal që është e vështirë të shënosh gol. Futbolli nuk luhet me matematikë, sepse Letonisë që është më poshtë në renditje t’i shënosh 5 gola dhe Serbisë që është më mirë, t’i shënosh më pak. Mund të jetë ngarkesa. Erdha me presion të madh në ndeshjen me Serbinë. Kjo është pjesë e futbollit. Do stërvitemi të bëjmë gol në ndeshjet e tjera.
Edmond Kapllani: Pse e keni të vështirë të godisni portën?
Rey Manaj: Është e drejtë, pasi e kemi gjetur pak portën. Por Letonia qëndron me 5 mbrojtës, është e vështirë të marrësh topin dhe të gjesh portën. Është pakëz e vështirë që të gjesh portën gjithmonë. Do provojmë të përmirësohemi, ishalla ndeshjet që vijnë të bëjmë më mirë, të marrim më shumë pikë.