Atmosferë e veçantë dhe incidente para ndeshjes Shqipëri-Letoni

Mbrëmjen e djeshme, atmosfera para ndeshjes Shqipëri-Letoni në stadiumin “Air Albania”, ishte e veçantë, me tifozë të etur për futboll dhe vizitorë nga Letonia që nuk kursyen entuziazmin.

Edhe pse stadiumi ishte i plotë me biletat e shitura, nuk munguan incidentet e vogla dhe momente interesante që e bënë këtë takim të paharrueshëm për të gjithë të pranishmit.

Pavarësisht se biletat në dispozicion ishin shitur të gjitha, jashtë stadiumit ishte një atmosferë e vakët, kjo edhe për shkak të mungesës së ultrasve.

Rreth 30 minuta para fillimit të takimit, në stadium mbërrin Drejtori Sportiv i Milanit dhe legjenda e Kombëtares, Igli Tare, i shoqëruar nga djali i tij, Etiene Tare.

Pak minuta para fillimit të takimit, ka një incident në tribunën VIP. Një nga tifozët e Letonisë tenton të hapë flamurin ukrainas, megjithatë Securite nuk e lejon duke ia larguar.

Në tribunë ngjiten Myrto Uzuni dhe Maldini Kacurri, të cilët e kanë të vështirë të gjejnë vendet e tyre, megjithatë stafi i FSHF-së kujdeset për ta dhe i gjen vendin e tyre.

Në tribunën VIP ka një tifoz me flamurin e UÇK-së, megjithatë policia dhe siguria private e detyrojnë ta heqë. Pak minuta më vonë, Policia e Shtetit e detyron ta dorëzojë flamurin, duke pasur frikën se mund ta hapë sërish.

Të gjitha biletat e ndeshjes janë shitur, teksa stadiumi ishte i hapur me një kapacitet të reduktuar. 20% më pak tifozë kishte për shkak të dënimit të dhënë nga UEFA pas ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Në fundin e pjesës së parë, spikeri i stadiumit njofton rezultatin e ndeshjes Serbi-Angli që ishte 0-2, teksa në shkallët e stadiumit ka entuziazëm.

Në tribunën qendrore janë ulur tifozë të Letonisë, të cilët pavarësisht rezultatit, këndonin në mënyrë të vazhdueshme.


Shtuar 10.09.2025 09:32