Përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojković, ka kërkuar të ulë tonet para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të zhvillohet më 7 qershor në Tiranë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës.
Në një konferencë për shtyp, Stojković tha se kjo është një ndeshje e rëndësishme për të dy kombëtaret, por nuk duhet të kalojë përtej kuadrit sportiv.
Të lidhura
“Ata janë miqtë tanë të futbollit. Shkojmë për të luajtur, për të parë kush është më i mirë në fushë. Nuk ka vend për tensione politike apo mesazhe nga tifozë ekstremistë. Kjo nuk na intereson dhe nuk do të ndodhë”, theksoi ai.
I njohur si “Pixi”, trajneri serb tha se pret një mikpritje të mirë në Shqipëri dhe vlerësoi organizimin e ndeshjes në Tiranë, duke theksuar se gjithçka do të jetë nën kontroll të plotë.
Ai foli me respekt për Kombëtaren shqiptare, duke përmendur cilësinë e lojtarëve që aktivizohen në kampionatet më të forta të Evropës dhe atmosferën e madhe që pritet në stadium.
“Kërkohen dy milionë bileta, por asnjë stadium nuk i mban. Ka rivalitet, por atmosfera është normale. I shohim si miq sportivë – dhe ashtu na shohin edhe ata”, përfundoi Stojković.

