Asllani ka një variant me shumë, një Kampion Bote interesohet për mesfushorin e Kombëtares

Kristjan Asllani po shqyrton variantet që ka për vazhdimin e karrierës së tij, teksa etapa te Torino tashmë duket e mbyllur. Ai ka bërë disa ndeshje në pankinë ndërsa nuk u grumbullua që të luante në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Romës.

Për mesfushorin ka disa variante në Itali dhe jashtë saj, por tashmë në skenë është shfaqur një tjetër mundësi shumë interesante. Klubi i Xhenoas është në kërkim të përforcimeve për pjesën e dytë të sezonit, ku kërkon të shkëputet sa më shpejt nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe të shkojë i qetë drejt mbijetesës.

Sipas “Sky”, trajneri Daniele De Rosi vlerëson aftësitë e Asllanit dhe e sheh atë si një lojtar i cili mund të bëjë shumë mirë në këtë klub me histori në futbollin italian. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për Asllanin që të mësonte më shumë për rolin e tij nga një “specialist” siç ka qenë De Rosi në vitet si lojtar, kur fitoi edhe Kupën e Botës me Italinë në vitin 2006.


Shtuar 14.01.2026 16:32