Alvaro Morata është duke kaluar vitin e tij të dytë si i huauzar te Juventusi.
Sulmuesi spanjoll në fund të sezonit do të rikthehet te Atletico Madrid, pasi vështirë se Juventus do të aktivizojë klauzolën për blerjen e tij.
E ardhmja e spanjollit nuk pritet të jetë në Wanda Metropolitano, pasi Atletico nuk e ka në planet e veta dhe do ta shes atë në verë.
Arsenali është skuadra e fundit që është futur në garë për t’i siguruar shërbimet e spanjollit.
Topçinjtë janë në kërkim të një sulmuesi dhe trajneri Mikel Arteta e pëlqen jashtëzakonisht shumë bashkëkombësin e tij.
Sipas asaj që raporton Tuttomercatoweb, Morata e pëlqen rikthimin në Ligën Premier, por i ka vendosur një kusht Arsenalit para se të pranojë ofertën e tyre.
Për t’i siguruar shërbimet e Moratas, Arsenali duhet të sigurojë së pari vendin e katërt, vend që do ta dërgojë në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.
Nga ana tjetër Atletico Madrid do ta lejonte largimin e sulmuesit nëse vije një ofertë rreth 40 milionë euro.