Drejtuesit e Arsenalit fillojnë të dëgjojnë ofertat për sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang. Futbollisti i përfaqësueses së Gabonit konsiderohet një ndër sulmuesit më efikasë të Premier League-s, megjithatë në harkun e vetëm pak muajve gjërat kanë ndryshuar dhe me sa kuptohet krerët e klubit kanë vendosur për ta nxjerrë në shitje lojtarin që deri pak kohë më parë mbante shiritin e kapitenit te “Topçinjtë”.
Historia e tij te klubi i famshëm londinez u ndërlikua ndjeshëm pas vonesës në stërvitje dhe duket se që nga ai moment marrëdhënia e 32-vjeçarit me trajnerin spanjoll të Arsenalit ka pësuar një krisje të madhe. Vetëm pak kohë më parë Aubameyang konsiderohej si njëri prej lojtarëve më të mirë të ekipit londinez dhe u shndërrua madje në një futbollist të pazëvendësueshëm për teknikun bask, por situata ndryshoi menjëherë pas gjobës së marrë dhe përjashtimit nga seanca stërvitore, pasi u paraqit me disa minuta vonesë në London Colney, në Hertfordshire, në Qendrën Stërvitore të Klubit të Arsenalit.
Edhe në derbin e Londrës Veriperëndimore me Chelsea-n Arteta i dha vetëm gjysmë ore kohë sulmuesit nga Gaboni, për më tepër edhe kjo ndodhi kur “The Gunners” ishin në disavantazh të dy golave dhe “blutë” e Chelsea-it ishin në kontroll të plotë të takimit. Pierre – Emerick Aubameyang u shpakll si golashënuesi më i mirë i Bundesliga-s me Borusian e Dortmundit në sezonin 2016-17, me 31 gola gjithsej, ndërsa më 31 janarin e vitit 2018 sulmuesi nga Gaboni u transferua në Ishull, për shifrën e 56 milionë stërlinave, për t’u bërë njëherësh edhe blerja më e shtrenjtë në histori e klubit të Arsenalit.
Në aspektin personal “Auba” shkëlqeu, duke u kurorëzuar si golashënuesi më i mirë në Premiership, në sezonin 2018-19, pra në edicionin e tij të parë të plotë në kampionatin anglez, çmim të cilin gjithsesi sulmuesi i lindur në Francë e ndau në kuotën e 22 golave bashkë me dyshen e Liverpulit Mohamed Salah – Sadio Mane, ndërkaq një vit më vonë Aubameyang u dogj për thjesht një gol të vetëm, teksa e përfundoi sezonin 2019-20 me 22 gola në total, pra vetëm një më pak se sa sulmuesi i Leicester City-t Jamie Vardy.
Në sfidën e parë të sezonit në derbin e Londrës Perëndimore me Brentfordin, 32-vjeçari mungoi bashkë me sulmuesin tjetër francez, Alexandre Lacazette. Në atë takim “Topçinjtë” u pickuan keq nga “bletët” e Brentfordit, që triumfuan 2-0 në takimin e parë në elitën e futbollit anglez të klubeve, pas afërsisht treçerek shekulli, sidoqoftë nga sa u zbulua më vonë dyshja Aubameyang – Lacazette mungoi pasi ishte prekur nga pandemia e Koronavirusit dhe jo për arsye dëmtimi, siç u hamendësua fillimisht nëpër mediat e ndryshme.
Sipas “The Telegraph” Pierre – Emerick Aubameyang nuk është më i paprekshëm te Arsenali. Duket se sulmuesi nga Gaboni i ka përjetuar momentet e tij më të bukura në Londër, kështu që tani 32-vjeçari duhet të fillojë të mendojë për të ardhmen dhe mbylljen me nder të karrierës së tij. Vlerat e tij janë të padiskutueshme dhe duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha në merkato duket se këtë herë është dorëzuar edhe vetë shefi i klubit londinez Edu.
Krerët e klubit të mirënjohur anglez madje janë gati t’i ofrojnë lehtësira sulmuesit nga Gaboni, nëse Auba do të pranojë të bashkëpunojë dhe të ndryshojë ambient. Në mënyrë të kuptueshme kjo nuk ka për të qenë aspak e lehtë, pasi Aubameyang rinovoi me “Topçinjtë” pikërisht vitin e kaluar. Sulmuesi veteran konsiderohet si një ndër lojtarët më të paguar në Premier League, sepse ka një rrogë prej 350.000 paundësh në javë, për më tepër kapiteni i ekipit londinez ka kontratë me Arsenalin për edhe dy sezone të tjera. Në derbin me Chelsea-n shiritin e kapitenit e mbajti nga minuta e parë mesfushori Granit Xhaka. Gjendja e klubit nuk është e mirë.
Ambienti është tepër i trazuar dhe tifozët janë nxehur dhe tani kërkojnë kokën e Artetës. Me 39-vjeçarin nga San Sebastiani “Topçinjtë” mbetën për herë të parë pas plot çerek shekulli jashtë Kupave të Evropës. Arsenali i ka përfunduar dy edicionet e fundit të kampionatit anglez në vendin e tetë, por nëse në sezonin 2020-21 “Topcinjtë” ia dolën për të marrë pjesë në Europa League falë triumfit në FA Cup, këtë herë “The Gunners” do të duhet të ndjekin nga ekrani rivalët e tyre, teksa marrin pjesë në tri kompeticionet e rëndësishme të “Kontinentit të Vjetër”.
Vetëm gjatë kësaj vere drejtuesit e Arsenalit kanë shpenzuar plot 127 milionë stërlina për futbollistë të tillë si Ben White, Martin Odegaard, Aaron Ramsdale, Albert Sambi Lokonga dhe Nuno Tavares.