Përkundër faktit që nënshkroi një kontratë të re me Athletic Bilbaon disa muaj më parë, Nico Williams po vlerësohet mjaft shumë nga klubet anembanë Evropës dhe pritet të largohet nga Spanja gjatë verës.
Si pjesë e marrëveshjes për rinovimin e kontratës, klauzola e tij e lirimit qëndron në shumën e 50 milionë eurove, shifër kjo e cila ka joshur disa klube të ndryshme gjatë afatit kalimtar.
Liga Premier duket se me shumë mundësi do të jetë destinacioni i ardhshëm i Williams. Liverpool, Aston Villa dhe Arsenali që të gjitha janë lidhur me një transferim të 21-vjeçarit gjatë muajve të fundit, por “Topçinjtë” thuhet se kanë interesim më konkret.
Ka qenë gazetari Fabrizio Romano i cili ka konfirmuar se Arsenali ka përcjellur me vëmendje Williams në javët e fundit, dhe se e njëjta mund të thuhet edhe për Chelsean, të cilët po ashtu janë të interesuar për të bërë një lëvizje gjatë verës.
“Arsenali ka dërguar skautët e tyre për të përcjellur Nico Williams tek Athletic Bilbao disa herë, dhe është e njëjta për Chelsean pasi edhe ata e kanë përfshirë në listën e tyre. Gara është plotësisht e hapur dhe asgjë nuk ka avancuar me ndonjë klub. Ai do të bënte mirë në Ligën Premier sipas mendimit tim, një lojtar me fizik dhe teknikë të mirë”, ka thënë Romano.
Në rast shitjeje, Bilbao do të përfitonte një shumë të madhe parash, por sidoqoftë momentalisht lojtari mbetet i fokusuar tek ky sezon, ku synimet janë që të arrihet kualifikimi në garat evropiane vitin e ardhshëm.
21-vjeçari është paraqitur në 20 ndeshje këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll, ku ka shënuar tre gola dhe ka bërë gjashtë asistime./Telegrafi/