Arne Slot merr zyrtarisht postin e trajnerit të Liverpoolit

Liverpooli ka konfirmuar se Arne Slot ka filluar sot (e shtunë) zyrtarisht në detyrën e tij të re si kryetrajneri i klubit.

Reds njoftuan para disa javësh marrëveshjen me Arne Slot për të lënë Feyenoordin dhe për t’u bërë pasues i Jurgen Klopp në Anfield.

Megjithatë, vetëm sot ka ardhur njoftimi zyrtar i kompletimit të dokumentacionit dhe fillimin e punës së Slot si trajner i ri i Liverpoolit.

“45-vjeçari bashkohet me Reds nga Feyenoord dhe merr frenat pas largimit të Jürgen Klopp”, thuhet fillimisht në deklaratën e klubit.

“Slot do të fillojë punën me skuadrën kur të fillojë sezoni para-sezonal në korrik, me një udhëtim me tre ndeshje në SHBA, pjesë e përgatitjeve për 2024-25”.

“Trajneri i lindur në Holandë vjen pas tre sezoneve shumë të suksesshme me Feyenoord, gjatë të cilave ai i udhëhoqi ata drejt titullit të ligës në 2023 dhe u emërua Trajneri i Vitit në Eredivisie në dy raste”, mbyllet njoftimi i Reds. /Telegrafi/


Shtuar 1.06.2024 13:06