Sulmuesi shqiptar Armando Broja, kalon nga Chelsea tek Everton në formë huazimi për një sezon. Kjo lëvizje ndodhi në minutën e fundit të afatit kalimtar, teksa po mbyllej zyrtarisht merkatoja e futbollit për këtë verë.
Marrëveshja përfshin opsionin për ta bërë transferimin të përhershëm verën e ardhshme për shumën e 30 milionë stërlinave.
Drejtori i futbollit të Evertonit, Kevin Thelwell, tha: “Duke monitoruar udhëtimin e Armandos për disa vite, jemi shumë të kënaqur që kemi mundësinë ta marrim atë në klubin tonë. Armando është ende një lojtar i ri, por që ka krijuar tashmë përvojë mbresëlënëse. Po flasim për një sulmues që ne mendojmë se ka shumë më tepër potencial se sa ka treguar deri tani”.
Broja aktualisht ka një dëmtim në këmbë, që nuk do ta lejojë të luajë deri në tetor. Ipswich Town, ishte tërhequr më herët nga një marrëveshje e mundshme, pasi klubi debutues në Premier League refuzoi të pranonte kushtet e Chelsea, duke pasur parasysh sasinë e kohës për të cilën Broja ka të ngjarë të jetë jashtë fushës.