Një ndeshje me doza shumë të lartë të inkuadrimit të VAR, polemika pa fund dhe e mbyllur nga një gol në minutën e nëntë të kohës shtesë nga Dani Carvajal ia dha fitoren Real Madridit.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur pas ndeshjes duke i analizuar ato që ndodhën në dhomën e shtypit dhe konsideroi se të tre vendimet ishin mjaft të qarta.
“E kuptoj ankesën e Almerias. Ishin vendime të rishikuara nga VAR. Mendoj se ka pasur tre vendime mjaft të qarta”, ka thënë Ancelotti.
Në të njëjtën vijë me trajnerin ishte edhe mbrojtësi i djathtë, Dani Carvajal, i cili iu përgjigj fjalëve të Maleros të Alermias që kishte thënë se ndjehet i vjedhur.
“Nëse ai i sheh episodet me qetësi, ai do ta vërejë që të gjitha vendimet e gjyqtarit ishin të drejta”.
“VAR e ka ndihmuar futbollin që të bëhet më i drejtë”, ka thënë Carvajal. /Telegrafi/