“Al-Khelaifi është po aq i rrezikshëm sa Superliga”, Tebas akuzon PSG-në për Mbappe

Në një telenovelë që ka pasur disa kthesa të papritura në skenar, gjithçka tregon se Kylian Mbappe do të rinovojë me PSG deri në vitin 2025, duke refuzuar Real Madridin që bëri gjithçka për të marrë yllin francez. Një vendim që do të shkaktojë tërmet në botën e futbollit dhe tashmë ka ngjallur reagimet e para.

Një prej tyre ka qenë ai i Javier Tebas, president i La Liga. Nga llogaria e tij në Twitter, ai ka sulmuar PSG-në dhe Nasser Al-Khelaifi, duke e krahasuar rrezikun e presidentit parizian me atë të Superligës Evropiane, kompeticion ku Real Madrid është anëtar themelues.

“Ajo që PSG do të bëjë duke rinovuar Mbappen me shuma të mëdha parash (për të ditur se ku dhe si i paguan) pasi humbi 700 milionë euro në sezonet e fundit, është një fyerje për futbollin. Al-Khelaifi është po aq i rrezikshëm sa Superliga”. /albeu.com/

Shtuar 21.05.2022 17:53