Agjenti i Endrick tregon tre klubet e Premier Ligës që u përpoqën ta nënshkruanin atë përpara transferimit te Real Madridi

Agjenti i sulmuesit Endrick, Frederico Pena ka zbuluar tre klubet angleze që u përpoqën të nënshkruanin me adoleshentin brazilian përpara se Real Madridi ta merrte atë.

Të shtunën, 17-vjeçari Endrick do të luajë në tokën britanike për herë të parë kur Brazili do të përballet me Anglinë në Wembley.

Në moshën 15-vjeçare, sulmuesi i ri ra në sy të klubeve më të mira anembanë Evropës dhe gara për nënshkrimin e tij u intensifikua pasi ai bëri debutimin e tij për ekipin brazilian Palmeiras në moshën 16-vjeçare.

Në dhjetor 2022, Real Madrid njoftoi se Endrick do t’i bashkohet klubit sapo të mbushë 18 vjeç në korrik 2024, për një marrëveshje rreth 60 milionë euro.

Në kryeqytetin spanjoll, sulmuesi do të lidhet me bashkëkombësit Vinicius Jr dhe Rodrygo, si dhe superyllin e ri anglez Jude Bellingham, me të cilin do të përballet të shtunën.

Megjithatë, sipas agjentit të tij, Endrick mund të kishte përfunduar lehtësisht në një klub të Ligës Premier, pasi skautët nga tre skuadra kryesore angleze u dyndën në Francë në vitin 2022 për të parë talentin duke luajtur në Turneun Montaigu.

I riu dëshmoi pa dyshim se ishte i aftë të luante jashtë Brazilit, duke fituar çmimin e lojtarit të turneut dhe duke shënuar pesë gola në katër ndeshje, ndërsa Brazili fitoi kompeticionin për herë të parë që nga viti 1984.

“Ajo ishte kur bota u ngrit me të vërtetë dhe e vuri re. Njerëzit e futbollit e dinin tashmë për të, por atëherë erdhën të gjitha klubet më të mira, Manchester City, Liverpool, Paris St-Germain, Chelsea dhe, natyrisht, Real Madrid”, ka thënë Pena për The Telegraph.

Nga tre klubet e Ligës Premier, Chelsea bëri më shumë përpjekje për të nënshkruar, dhe në një fazë dukej destinacioni i tij më i mundshëm përpara Real Madridit.

Në tetor 2022, klubi londinez ftoi prindin e adoleshentit për të vizituar terrenin e tyre stërvitor Cobham, ku u takua me Thiago Silva, Jorginho dhe Cesar Azpilicueta.

Sipas The Telegraph, Chelsea madje i gjeti familjes një kishë lokale ku do të mund të merrnin pjesë për lutje.

Megjithatë, negociatat ngecën midis Chelsea dhe Palmeiras pasi Blutë nuk donin të paguanin një tarifë të konsiderueshme për një lojtar që nuk do të ishte në gjendje të luante për ta për gati dy vjet.

Real Madridi kishte bërë një marrëveshje të ngjashme me Pena për të nënshkruar Vinicius Jr nga Flamengo pesë vjet më parë, kështu që ndërhyri dhe arriti një marrëveshje.

“Mendoj se Reali vendosi që nuk do të humbiste kurrë një tjetër talent si Vini apo Endrick pasi Neymar u transferua te Barcelona. Ndoshta ka një mësim për Chelsean sepse ata ishin përpara në fillim”, përfundoi agjenti i lojtarit. /Telegrafi/


Shtuar 22.03.2024 15:22