Jonathan Soriano kurrë nuk e fitoi “Këpucën e Artë”, edhe pse rivalizoi Messin e Ronaldon me gola

Java e fundit nuk kishte shumë bujë në lidhje me transferimin e Jonathan Sorianos, një sulmues shtegtar spanjoll, i cili iu bashkua Castellonit, ekip që bën gara në kategorinë e dytë të Spanjës. 35-vjeçari e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij duke luajtur për klubet që nuk ishin shumë në modë, përfshirë këtu Red Bull Salzburgun, Gironan dhe Beijing Guoanin.

Por, në një moment në kohë, ai ishte po aq i frytshëm sa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo – duke rivalizuar të dy për “Këpucën e Artë” të Evropës si golashënuesi më i mirë. Sidoqoftë, për shkak se një sistem i pikëve favorizon lojtarët në liga më të forta për të fituar edhe nëse ata shënojnë më pak gola sesa një lojtar që luan në një ligë më të dobët, bëri që Soriano ta humbte këtë çmim.

Në mënyrë të pabesueshme në Austri, në vetëm gjashtë vjet, Soriano realizoi hiç më pak se 172 gola. Në fakt, Soriano nuk ka luajtur gjithmonë gjatë karrierës së tij në ligat e ulëta apo të dobëta. Në të vërtetë, ai karrierën si i ri e nisi te rivali i madh i Barcelonës, Espanyoli, përpara se të lirohej në vitin 2009. Pastaj, ai iu bashkua Barcelonës me synimin për të luajtur me ekipin e dytë në divizionin e tretë.

Falë paraqitjeve të mira te Barcelona B, Sorianos iu dha rasti që të debutojë edhe me ekipin e parë të Barçës në fitoren 2:0 kundër Cultural Deportiva Leonesa në kuadër të Kupës së Spanjës. Kjo doli të ishte edhe paraqitja e vetme me ekipin e parë të Barcelonës, pavarësisht se e përfundoi edicionin vijues si golashënuesi më i mirë në Segunda Division B me 32 gola.

 

Në vitin 2012, Barcelona nuk ia rinovoi kontratën dhe Soriano u largua. Duke pasur parasysh se ishte vetëm 27-vjeçar dhe kishte çka të dëshmonte, Soriano në të njëjtin vit u transferua në Austri te Red Bull Salzburgu. Por në sezonin e tij të parë, ai kishte nevojë për kohë pasi arriti të shënojë vetëm pesë gola në 15 ndeshje. Sidoqoftë, sezoni i tij i dytë ishte një histori tjetër. 26 gola në 32 ndeshje në kampionat treguan aftësinë e tij para portës.

Një moment kryesor erdhi në fitoren 6:2 ndaj Wolfsbergerit – ndeshje që shënoi “hat-trick” – vetëm disa orë pasi e kishte kaluar paraditen me gruan Cristina Sabater në spital duke festuar lindjen e vajzës së tij. Sezoni 2013/14 ishte më pjellori për Sorianon, që shënoi 48 gola në 43 ndeshje. Ishte sezoni i njëjtë në të cilin u shpall golashënuesi më i mirë i Ligës së Evropës. 31 golat e tij në kampionat e barazuan atë me Luis Suarezin dhe Cristiano Ronaldon në garën për “Këpucën e Artë” të Evropës.

Por, sistemi i pikëve, teknikisht ia pamundësoi Sorianos ta fitonte këtë garë. Që nga sezoni 1996/97, Mediat Sportive Evropiane e kanë dhënë “Këpucën e Artë” me sistemin e pikëve. Sistemi i pikëve përcaktohet nga renditja e ligës me koeficientet e UEFA-s, të cilat nga ana e tyre varen nga rezultatet e klubeve të secilës ligë në konkurrencën evropiane gjatë pesë sezoneve të mëparshme. Kështu që, lojtarët që shënojnë gola në një nga pesë ligat më të mira të Evropës kanë mundësinë të marrin më shumë pikë, sesa një lojtar që luan në një kampionat më pak të njohur.

“Unë e kuptoj që liga e Austrisë nuk është në nivelin e njëjtë me ligën e Spanjës, Gjermanisë, Anglisë, Italisë e Francës, por nuk pajtohem me këtë sistem të pikëve për golashënuesin më të mirë të Evropës”, ka thënë Soriano, i cili mendon se në këtë rast është vjedhur. “Të gjithë ata që e kuptojnë futbollin, e kanë parasysh shumë mirë që nuk është lehtë të shënosh gola në cilëndo ligë që luan”.

Po të mos ishte sistemi i pikëve, Soriano do t’i sfidonte Messin e Ronaldon për “Këpucën e Artë” pasi prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka shënuar 155 gola (29, 48, 46, 32) për Salzburgun. Pas gjashtë sezoneve dhe 172 golave, Soriano u largua nga Salzburgu për të vazhduar karrierën në Kinë.

 

Ai i kaloi sy sezone tek ekipi Beijing Guoan, me rekomandimin e ish-sulmuesit të West Ham Unitedit, Frederic Kanoutes. 31 gola në 36 ndeshje në Superligën e Kinës ishin garanci e suksesit për Sorianon, i cili fitoi edhe kupën me Beijingun.

 

Por më pas, si një lojtar i lirë, Soriano u transferua në Arabinë Saudite, tek Al-Hilal FC, ku pati vështirësi për të shënuar gola. Një vit më vonë, sulmuesi shtegtar u kthye në Spanjë, te Girona me një marrëveshje afatshkurtër sezonin e kaluar. Te Girona nuk funksionoi mjaft mirë, me vetëm një gol në 16 paraqitje. Sidoqoftë, te Castelloni po shpresojnë që Soriano të gjejë përsëri golat e tij për t’i ndihmuar në luftën për mbijetesë. Dhe mbase ai mund t’i rivalizojë edhe njëherë Messin e Ronaldon.


Shtuar 14.03.2021 22:56