Xavi me siguri që ka mësuar shumë nga Reali dhe Ancelotti pas humbjes 2-3 në janar në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.
Ndryshe nuk mund të shpjegohet ai dominim absolut përballë madrilenëve në tempullin e tyre në “Klasiken” e dytë në La Liga dhe të tretë sezonale.
Për Xavin kjo ka qenë “Klasikja” e parë në La Liga dhe ajo është shoqëruar me një fitore historike 0-4.
Të gjithë u janë kthyer historive të vjetra të sukseseve të Barcelonës në Madrid, kur Xavi ishte në fushë si regjisor i lojës së katalanasve.
Tashmë ai e ka heshtur Madridin edhe si trajner. E të mendosh që është vetëm fillimi i karrierës së tij.
Duke folur pas takimit, numri një i stolit të Barcelonës nuk e ka fshehur lumturinë për triumfin në Madrid.
“Jam i kënaqur, i lumtur për skuadrën dhe për tifozët tanë. Një fitore e tillë mund të ndryshojë dinamikën e së tashmes dhe së ardhmes së Barcelonës. Kemi zhvilluar një ndeshje spektakolare. Katalanasit duhet ta shijojnë këtë sepse nuk është e lehtë të arrish fitore të tilla në Madrid”, ka thënë Xavi.
Trajneri i Barcelonës nuk e ka fshehur dëshirën e tij që skuadra të kishte shënuar ndonjë gol më shumë.
Madje, ai ka gjetur vend edhe për kritika, pavarësisht se shifrat thonë 0-4 për Barcelonën.
“Do të doja të kishim shënuar edhe golin e pestë, megjithatë edhe 0-4 nuk është keq. Por më shumë se goli i pestë i munguar, më shqetësuan shumë raste të shpërdoruara.
OK, këtë herë gjithçka shkoi mbarë sepse ishim duke fituar 0-4. Por në raste të tjera mund të ndodhë të jesh duke fituar 0-1 dhe duke shpërdoruar raste në fund humbet takimin. Humbja e topave dhe ulja e përqendrimit duhet të na shqetësojë”, deklaroi tekniku i katalanasve.