Yjet që rrezikojnë pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm

Kampionia në fuqi e Evropës, Italia për herën e dytë rresht do të luajë në plejofin për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Italia përfundoi e dyta në grupin e saj dhe në muajin mars të vitit të ardhshëm, do ta kërkojë kualifikimin për këtë ngjarje. Kjo është hera e dytë që Italia luan në plejof, pasi herën e parë nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen për Botërorin “Rusia 2018” pas humbjes nga Suedia.

Megjithatë, Italia nuk është përfaqësuesja e vetme e madhe që do ta kërkojë kualifikimin në Kampionatin Botëror nëpërmjet plejofit. Kualifikimi i Italisë në Katar, do të thotë që shumë yje mund të mbesin jashtë kësaj ngjarjeje të madhe botërore të futbollit.

Robert Lewandowski (Polonia)

Njëri prej kandidatëve kryesor për ta fituar “Topin e Artë”, sulmuesi Robert Lewandowski rrezikon të humbasë një vend në Katar vitin e ardhshëm, vetëm dy vjet pasi kishte pushtuar futbollin evropian me Bayern Munichun. Reprezentuesi polak ka shënuar tetë gola në katër ndeshjet e Ligës së Kampionëve deri më tani këtë sezon, plus 13 në 11 ndeshje të Bundesligës. Lewandowski ka shënuar edhe 72 gola në 127 paraqitje me Poloninë. Megjithatë, Polonia nuk arriti ta sigurojë kualifikimin direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm. Përfundoi e dyta në Grupin I me 20 pikë, gjashtë më pak se Përfaqësuesja e Anglisë.

Tani, Lewandowski dhe Polonia po presin shortin e plejofit që do të tërhiqet më 26 nëntor.

Cristiano Ronaldo (Portugalia)

Portugalia dhe Italia kishin një fat të ngjashëm, duke humbur një vend që automatikisht dërgonte në Botërorin “Katar 2022” në raundin e fundit të ciklit kualifikues. Portugalia u befasua në shtëpi nga Serbia, e cila triumfoi 2:1 dhe i rrëmbeu pozitën e parë në Grupin A.

Një nga lojtarët më të lakmuar në historinë e futbollit, Cristiano Ronaldo rrezikon të humbasë atë që mund të jetë shansi i tij i fundit për të fituar një Kupë Bote. Ronaldo, i cili iu bashkua Manchester Unitedit gjatë verës, mbush 37 vjeç në shkurt dhe synimi i tij është të paraqitet në Katar. Nëse Portugalia eliminohet në plejof, atëherë Ronaldo mund të mos luajë në Botërorin e vitit 2026, pasi do të jetë 41 vjeç.

Zlatan Ibrahimovic (Suedia)

Një tjetër veteran, i cili mund të ketë rastin e fundit për të luajtur në Kupën e Botës, është sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq, i cili ka ndihmuar ekipin italian të rikthehet në krye të Serie A. 40-vjeçari iu bashkua Milanit në janar të vitit të shkuar dhe ka qenë protagonist për trajnerin Stefano Piolin, i cili e ka udhëhequr Milanin drejt kthimit në Ligën e Kampionëve.

Ibrahimoviqi u rikthye nga pensionimi ndërkombëtar për ta ndihmuar Suedinë në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm, pasi nuk mori pjesë në “Euro 2020” për shkak të lëndimit. Megjithatë, Suedia përfundoi e dyta në Grupin B kualifikues dhe do të duhet të luajë në plejof për të siguruar një vend në Katar. Ibra do të jetë i etur për ta ndihmuar Suedinë që të paraqitet në këtë ngjarje, pasi dëshiron të luajë në Botëror përpara se të vendos t’i varë këpucët në gozhdë.


Shtuar 16.11.2021 16:06