Ibsen Elezi kundërshtari i vetëm i Sali Berishën në zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokraike ka hedhur votën e tij në selinë blu.
Pas votimit, Elezi është ndalur të flasë për mediat ku është shprehur se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara edhe pse ka konstatuar disa problematika gjatë procesit.
“Kam vëzhgues, anëtarët në komisioner janë refuzuar që në fillim të procesit. Ka qenë një situatë e tensionuar dhe vëzhguesit kanë pasur dilemat e veta. Dhe unë kam qenë tolerues që në momentin që nuk e kanë pasur vullnetin”, tha Elezi.
Sa i përket deklaratës së Berishës, ai tha se “drita e së ardhmes nuk është as doktori, as unë, por demokracia në këtë vend”.
“Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.
Ai theksoi më tej se nuk do të tolerojë parregullsi të konstatuara të kryera nga komisionerët.
“Jam fokusuar shumë te procesi dhe ndaj kam pranuar të jem në këtë garë. Kam luftuar shumë për proceset. Pas shpalljes së vendimit do ta njoh rezultatin. Kam toleruar shkelje të vogla, por nëse verifikohet se komisionerët nuk do jenë korrekt nuk do ta toleroj”, tha Elezi.