Vula e PD-së/ Berisha: Ndërhyri Yuri Kim, gjyqtarja shiti veten

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar çështjen e padisë në gjykatë për vulën e partisë. Në një intervistë në A2 CNN, akuzoi gjykatësen Emona Muçi se shiti veten, në konceptin profesional, për ata që dorëzuan padinë. Berisha shkoi edhe më tej duke thënë se ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ndikuar te gjyqtarja.

“Ata që shpresojnë te Edi Rama, shpresojnë te Edi Rama dhe ajo është zgjidhja e tyre. Të mendosh se gjyqtarja Muçi shiti, në konceptin profesional, veten e vet për ata që dorëzuan padinë. Ajo u urdhërua të marrë atë vendim nga Edi Rama. Siç kam denoncuar dhe siç e ka pohuar edhe vetë zonja Kim, nëpërmjet Erion Veliajt, të cilit i kërkoi të bëjë gjithçka për të shpallur palë ata që nuk ishin palë. Veliaj kontrollonte vetingun e gjykatëses Muçi. Kjo është një nga aferat më korruptive”, – u shpreh Berisha.

Ai u shpreh se Enkelejd Alibeaj është i pretenduar për kryetar, por nuk është votuar prej askujt, duke e cilësuar atë si thjesht një deputet demokrat. Berisha komentoi edhe çështjen e miratimit të ligjit të dosjeve me votat e deputetëve të grupimit Alibeaj. Sipas Berishës, ky është ligji më i keq i votuar deri më sot për hapjen e dosjeve. Ai akuzoi Ramën se drejton Autoritetin e Dosjeve.

 


Shtuar 26.10.2022 21:35