Ngjarja e rëndë e ndodhur në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ka nisur të ketë emrat dhe dënime konkrete.
Dy prej personave që kanë marrë masën e arrestit në shtëpi, janë dy nëndrejtorët e rendit Albert Nushi dhe Nikollaq Palla që ndodheshin në vendngjarje në momentin e përplasjes me armë mes dy grupeve, mbështetës të PD dhe PS.
Sipas prokurorisë, dy zyrtarët e policisë kanë dhënë dëshmi të rreme për ngjarjen.
Sipas hetimeve të prokurorisë, dy nëndrejtorët e rendit, jo vetëm që nuk arritën ta shmangnin ngjarjen ku u plagosën edhe katër persona të tjerë, por dhanë në policinë gjyqësore deklarime të rreme. Për këto vepra penale, Gjykata e Elbasanit ka dhënë për ta masën e arrestit në shtëpi. Për këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra edhe 6 efektivë të tjerë. /albeu.com