Viza angleze dhe pasaporta të falsifikuara, në pranga 3 shtetas në Shkodër

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të falsifikimit të dokumenteve.

Në prangat e policisë kanë rënë 3 shtetas të cilët akuzohen se falsifikonin vizat angleze kundrejt pagesave të majme.

 

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Alias”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.

Sekuestrohen dokumente identifikimi dhe dokumente të tjera, të dyshuara të falsifikuara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Alias”. Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan shtetasit:

S. P., 68 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”;

B. B., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, të kryera në bashkëpunim;

P. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, shtetasi B. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë teknik-radiolog pranë një spitali privat në Tiranë.

Gjatë muajit mars, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente identifikimi, dokumente mjekësore dhe shkollore, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 dokumente identifikimi (pasaporta), të dyshuara të falsifikuara, vizë angleze e dyshuar false, 1 laptop dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.

Vijon…

 


Shtuar 1.04.2022 09:27