Vila në Shirokë, reagon Princ Leka: Çështja do të shkojë në Apel

Rreth një javë më parë u dha vendimi se Vila e Zogut në Shirokë do të jetë nën administrimin e BSPSH- së. Pas këtij vendimi ka ardhur edhe reagimi i Familjes Mbretërore Shqiptare përmes një deklaratë mbi vendimin e papritur të Gjykatës së Shkodrës.

Familja Mbretërore sqaroi se çështja do shkojë në Apel dhe nuk do rreshtë së kërkuari të drejtën e saj legjitime. Duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë, Familja Mbretërore e drejtuar nga Princ Leka shprehu indinjatë të thellë që ende sot shqiptarët enden zyrave të shtetit për trashëgiminë e tyre, dhe këtë e cilësoi si “turp i pafalshëm”.

Reagimi i plotë i Familjes Mbretërore Shqiptare:

Lidhur me vendimin e trupit gjykues të kryesuar nga z.Orgent Nazaj: Vila e Zogut në Shiroke:

Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit dhe deklarimeve deri diku të nxituara nga persona që duhet ta kuptojnë funksionimin e sistemit gjyqësor, sqarojmë si më poshtë vijon:

1. NT. Princ Leka II Zogu, trashëgimtari i Familjes Mbretërore, në procesin e kthimit të pronave të Familjes Mbretërore, të cilat janë prona të familjes dhe jo të Shtetit Shqiptar, është përfshirë në procese gjyqësore.

2. Një nga këto procese është edhe procesi për kthimin e Vilës Mbretërore me vendndodhje në zonën e Shirokës, në qytetin e Shkodrës.

3. Fillimisht, Familja Mbretërore ka qenë e përfshirë në një proces tjetër për të evidentuar faktin e të drejtës së pronësisë së saj, mbi këtë pronë, meqenëse dokumentet origjinale arkivore hipotekore janë zhdukur. Ky proces, që ka kaluar të tre shkallët e gjykimit ka përfunduar në favor të Familjes Mbretërore, ku me vendimin nr.1618, datë 09.07.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër (I formës së prerë) është vendosur:

“Vërtetimin e faktit juridik të së drejtës së pronësisë së Ahmet Zogu për pasurinë e paluajtshme “Vila Mretnore Shirokë”, e cila përbëhet nga ndërtesa dy kat vila me sipërfaqe 345 m2, ndërtesë dy kat me sipërfaqe 145 m2, si dhe truall funksional 3962 m2 sipas plan-vendosjes, bashkëlidhur këtij vendimi (pjesa e kufizuar me ngjyrë bojë qielli, në Veri e në Jug). Pjesë e këtij vendimi është edhe plan-vendosja e ekspertimit e titulluar ish Vila e Mbretit Zog…”.

4. Duke qenë në këto kushte, kërkesa për kthimin e kësaj vile është konsideruar legjitime, meqenëse kjo prone mbahet padrejtësisht dhe në mënyrë jo ligjore nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, përfaqësuar nga z. Gezim Kalaja.

5. Për këtë, pas mos shqyrtimit brenda afatit kohor të parashikuara nga ligji të kërkesës nga ana e Agjencisë të Trajtimit të Pronave, nga ana e trashëgimtarit Princ Leka II Zogu është paraqitur kërkesa pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka filluar një proçes që në Qershor të vitit 2020 me trupë gjyqësore të kryesuar nga Z. Orgent Nazaj – Gjyqtar i çështjes 3

Në përfundim, pas shqyrtimit të çështjes nga gjyqtari i mësipërm është vendosur: “Rrëzimi i kërkesëpadisë…”

6. Duam të sqarojmë opinionin publik, kjo si shkak i disa keqinterpretimeve nga persona të caktuar mbi këtë situatë, se ndaj këtij vendimi do ushtrohet ankimim në Gjykatë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda afateve ligjore.

Sqarojmë se Familja Mbretërore, përfaqësuar nga NT Princ Leka II Zogu, nuk do resht së kërkuari të drejtën e pronësisë mbi këtë pasuri të familjes deri në kthimin e kësaj të fundit, pasi është pjesë historike jo vetëm e qytetit të Shkodrës por dhe pjesë e historisë së Shqipërisë.

Ne respekt ndaj organeve të drejtësisë dhe shtetit shqiptar, Familja mbretërore do të rezervohet të shprehet deri sa të zbardhet vendimi gjyqësor.

Megjitheate, ajo, që qytetarët shqiptarë, pavarësisht nëse janë njerëz të zakonshëm të këtij vendi apo trashëgimtarë të Mbretit, ende sorollaten zyrave të shtetit dhe nuk gëzojnë trashëgimnine e gjyshërve të tyre është një turp i pafalshëm që duhet shlyer një orë e më parë.


Shtuar 4.08.2023 09:55