U plagos një ditë më parë, policia arreston te Trauma edhe administratorin e Kallmetit

Policia ka arrestuar administratorin e Kallmetit Besnik Simoni, i cili mbeti i plagosur me 3 plumba gjatë ditës së djeshme.

Arrestimi i tij është bërë për shkak se gjatë konfliktit ku mbeti i plagosur, ka pasur shkëmbim zjarri me shtetasin Altin Marku, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur.

Policia vuri dje në pranga autorin, ndërsa nga hetimet u mësua se mes tyre ka pasur shkëmbim zjarri.

Policia ka sekuestruar vetëm një nga dy armët që janë përdorur nga Simoni dhe Marku.

Simoni mbante prej disa vitesh detyrën e administratorit të Kallmetit, dhe konflikti me Markun ka nisur shumë kohë më parë, për të vazhduar gjatë paradites së djeshme.

Pas një konflikti që kanë pasur në zyrën e Simonit, Marku ka qëlluar disa herë në drejtim të makinës së administratorit të Kallmetit, ndërsa edhe vetë ky i fundi është përgjigjur me armë.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi B. S., shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. M., i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi B. S., i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi A. M. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;

B. S., 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete.

Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 2.04.2022 09:12