Detaje të reja kanë dalë në lidhje me rastin në Elbasan ku katër persona kanë kërcënuar administratorin e një kompanie me qendër në Cërrik që të tërhiqej nga një tender.
Tre prej tyre janë arrrestuar nga policia, ndërsa i katërti është shpallur në kërkim.
Fituesi i tenderit Erald Muftari është shantazhuar nga Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç.
Mësohet se tenderi në fjalë ishte për lëndë drusore, dhe kishte vlerën e 1 milion eurove.
Burime bëjnë me dije se të akuzuarit i kanë vendosur pistoletën në kokë administratorit për t’u tërhequr nga tenderi dhe e kane kërcënuar me jetën e djalit.
Sakaq ai nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij. Një nga të arrestuarit Shaqir Alcani rezulton pronar i firmës ‘Alcani sh.p.k.’.
Kjo firmë ka përftuar 28 tendera, 13 prej tyre në bashkinë e Tiranës. Firma rezulton se kryesisht furnizonte me lëndë djegëse për ngrohje objekte arsimore. Vlerave e tenderave të përfituara në përgjithësi nga kjo firmë nuk e kanë kaluar shifrën e 400 mijë euro.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin e përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare. Të arrestuarit akuzohen, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme
/albeu.com/