Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali zhvilloi takimin e saj të parë në rolin e Kryetares së Kuvendit me rektorët e universiteteve në vend. Në fjalën e saj Spiropali e vuri theksin te roli i arsimit dhe gjetja e mënyrave inovative për financime dhe për të forcuar lidhjet mes sektorit publik dhe atij privat.
Gjatë fjalës së tij në takim, Rektori Artan Hoxha, u shpreh se “ky bashkëbisedim është i rëndësishëm, sepse tregon interesin dhe përkujdesjen që ka për mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe rëndësinë që kanë ato në zhvillimin e shoqërisë. Jemi në një moment të rëndësishëm, siç është ai i hapjes së negociateve, gjë që përfshin të gjithë strukturat shtetërore, mes tyre edhe ato arsimore.
Jo vetëm në këtë proces që është shumë i rëndësishëm, për të ardhmen e Shqipërisë, e cila e sheh veten si pjesë të integruar të BE-së, por që nuk është një dhuratë që vjen, por një përpjekje e vazhdueshme që duhet të transformohet në të gjithë sektorët për të qenë pjesë e familjes europiane si meritë dhe jo si dhuratë. Arsimi lartë është përgjegjësia jonë. Ne kemi qenë në bashkëbisedim me qeverinë për nevojat dhe problematikat që ka Arsimi i Lartë, projektligji për shkencën është një prej tyre, në tërësi nuk kemi veprimtari të ndara. Integrimi kalon në dyert e arsimit parauniversitar dhe universitar dhe roli që ne kemi na bënë të vetëdijshëm, duke u përshtatur me kohën”.
Ndërsa profesor Et’hem Ruka e vuri theksin te ndërkombëtarizimi i studentëve dhe pranimi i studentëve të huaj në vendin tonë.
“Pati institucione që e shtrembëruan Arsimin e Lartë dhe sistemin e diplomave, një pjesë u zgjidh në mënyrë administrative dhe një pjesë me akreditim. Ligji për Arsimin e Lartë ishte i domosdoshëm për të disiplinuar nivelin e arsimit. Ka ardhur koha që shumë gjëra të rishikohen. Kemi hedhur hapat e parë drejt ndërkombëtarizimit dhe axhenda që qeveria i ka vënë vetes, pra Shqipëria 2030, kërkon që universitetet të ecin përpara. Ndërkombëtarizimi i studentëve, më saktë pranimi i studentëve të huaj këtu, duhet të jetë një standard. Problem mbetet pjesa e vizave, ndaj duhet të jemi më operativë në gjetjen e zgjidhjeve” u shpreh Ruka.