Për shkak të motit të keq që ka përfshirë pothuajse të gjithë vendin që prej mbrëmjes së djeshme Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri për t’iu ofruar ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve.
Policia njofton se janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.
Gjithashtu policia i ka bërë apel shoferëve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera në rrugë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.
NJOFTIMI I PLOTE
Policia e Shtetit, për shkak të vështirësimit të qarkullimit të mjeteve, nga reshjet e shiut dhe të borës, ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ofruar ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve.
Në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.
Forcat Kombëtare të Sigurisë, së bashku me grupet e evakuim -shpëtimit dhe Policinë Alpine që janë pjesë e kësaj force, janë në gatishmëri për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, në rast nevoje.
Inspektorët dhe specialistët e policimit në komunitet janë shpërndarë në zonat që mbulojnë dhe janë në kontakt të pandërprerë më përfaqësuesit e pushtetit vendor, emergjencat civile dhe kryetarët e fshatrave, me qëllim monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në kohë, në rast nevoje.