Sot, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka arrestuar ish-ministrin Lefter Koka dhe ka shpallur në kërkim Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan pasi akuzohen për një aferë korruptive me vlerë 3.6 milion euro, të cilat në fund i ka përfituar në formë ryshfeti Koka.
Prokurorët e SPAK pretendojnë se kanë zbërthyer edhe skemën e përdorur, përmes të cilës 3.6 milion euro u morën nga buxheti i shtetit përmes faturave fiktive dhe sërish nëpërmjet tyre i kaluan Lefter Kokës në formën e shpërblimit për shërbimin e bërë ndaj kompanive “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” duke lejuar ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit në shkelje të plotë të procedurave.
SPAK nisi hetimet vetëm pas padisë së bërë në tetor të 2020 nga PD dhe LSI. 9 ditë pas kësaj padie, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh në një konferencë me gazetarët se SPAK duhej të ndërhynte pasi mafia e plehrave sipas tij, po i bënte presion pikërisht pronares dhe administratores së inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja.
Sipas tij, Gugallja ishte larguar nga Shqipëria fill pas padisë së PD-së dhe mbahej nën presion nga mafia e plehrave.
“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafias së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyç në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Nëse përgjegjësit e kësaj afere arratisen, përgjegjësia është e SPAK-ut. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”, tha Basha.
Aso kohe, Gugallja reagoi duke thënë se i vetmi person që po i bënte presion ishte Lulzim Basha.
“Nuk jam dhe nuk ndihem për asnjë moment e kërcënuar apo e shantazhuar nga askush. Në jetën e biznesit dhe jashtë saj nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme që të më bëjë objekt shantazhi apo kërcënimi. I vetmi që më ka vënë nën presion dhe më shantazhon është zoti Lulëzim Basha dhe njerëz rreth tij. Prej kohësh jam vënë nën sulme politike nga Partia
Demokratike, në të cilën unë dhe familja ime kemi aderuar si anëtarë që në lindjen e saj, duke e mbeshtetur prej viteve 90”, tha ajo.
Gjithë këto denoncime dhe deklarata u lanë në harresë deri në momentin kur SPAK nisi hetimet dhe zbuloi skemën e përvetësimit të 3.6 milion eurove nga Lefter Koka në formën e rryshfetit.