“Shtëpia e barit” në Shkodër, avokati: Gratë menduan se do pastronin sherebelë

Avokati Anton Kosteri është shprehur se gratë e arrestuara brenda laboratorit të drogës në Shkodër nuk kishin djeni se çfarë aktiviteti ushtrohej aty. Në një deklaratë për mediat, pas vendimit të gjykatës për 16 të arresturit, avokati thotë se gratë ishin informuar se do të merreshin me sherbelë, por kur kanë shkuar aty, janë arrestuar menjëherë nga policia. Kosteri tha se vendimi i gjykatës ishte i drejtë për lirimin e grave, por operacionin e konsideroi një tregues për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare.

“Nga 16 të arrestuar, Gjykata vendosi që për 11 zonja, të vendosë masën detyrim paraqitjeje. Dua të theksoj se ishte një vendim i drejtë. Nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe kjo është e sigurt. Nuk duam të komentojmë punën apo ligjshmërinë e veprimeve të policisë por duam që të gjithë njezëri t’ju bëjmë me dije se ky rast tregoi se në cilën gjendje ndodhet situate në Shqipëri. 12 zonja janë të detyruara të rrinë 3 ditë në burg, duke lënë familjen vetëm, dhe dramën që ka shoqëria shqiptare që sheh vetëm 2 rrugë për të mbijetuar. Njëra largimi nga Shqipëria dhe tjetra krijimi i mundësive të tilla, që të gjithë e dinë se është e jashtëligjshme por e bëjnë për të siguruar bukën e gojës. Vijnë për të marrë 2-3 mijë lekë të reja në ditë dhe gjejnë burgun. Dua të theksoj dhe faktin që një familje, të cilës i janë arrestuar të gjithë anëtarët përveç fëmijëve të mitur. Edhe kur të therrasin në dasmë nuk shkojnë të gjithë. Ndërsa në burg u futën të gjithë. Ata kanë ardhur me idenë për të pastruar sherebelë. Në momentin që kanë ardhur, menjëherë janë arrestuar nga policia. Gjykata u tregua e drejtë për masat e sigurisë. Për ata që u është caktuar masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘arrest me burg’ patjetër që do të apelohet si masë,”- tha ai.

Sot, gjykata e Shkodrës ka dhënë masat e sigurisë për 16 personat e arrestuar dy ditë më parë, të cilët kishin ngritur një ‘shtëpi bari’ në fshatin Bardhaj dhe përpunonin kanabis. Dy janë lënë në burg, tre në ‘arrest shtëpie’ dhe 11 gratë punonjëse janë lënë të ‘detyrim paraqitjeje’.


Shtuar 15.10.2022 18:48