Shpërndanin kokainë, 3 të arrestuar në Dibër, sekuestrohen 2.2 mln lekë

Policia e Dibrës ka arrestuar 3 persona të cilët shpërndanin kokainë.

Në kuadër të operacionit “Last deal”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Dritan Hidri, 43 vjeç; Daniel Hidri, 18 vjeç dhe Redion Partalli, 19 vjeç, të tre banues në Bulqizë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj këtyre shtetasve, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, doza kokaine, të gatshme për shitje, një shumë parash prej rreth 2.2 milionë lekësh, të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet kriminal dhe 5 celularë.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë kohe, kanë ushtruar aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta (të llojit kokainë), në qytetin e Bulqizës.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/


Shtuar 9.03.2023 10:19