Sezoni i ri nis me ‘halle’ të vjetra! Në Vlorë, privatët ngulin çadrat në plazhin publik! Kullat janë bosh, mungojnë vrojtuesit!

Stacionet private të plazhit janë çelur tashmë në Vlorë. Siç shihet në pamje janë hapur çadrat e shezlongët por në kullat e vrojtimit mungojnë rojet. Bizneset shmangin detyrimin ligjor dhe nuk ofrojnë siguri për pushuesit. Edhe Bashkia e Vlorës gjendet në shkelje, pasi vëzhgues s’kanë as plazhet publike.

Pushuesit shprehen të shqetësuar pasi prej vitesh nuk shohin vrojtues në plazhe. Po kështu vihet re se janë vendosur shezlongë me pagesë në hapësirat e dedikuara për plazh publik.

“Vështirë të gjeni një roje në gjithë bregun. E dëgjoj Kumbaron në TV që thotë se ka roje! Po ku janë?! Po kështu s’ka plazhe publike. Ministrja thotë 20 për qind duhet të jete publike (pa pagesë), por këtu s’ka as 5 për qind”, tha një pushues.

“S’ka hapësirë publike këtu, veç atje tek kanali kanë lënë 3 metra. Të tjerat janë zënë”, tha një pushues tjetër.

Vetëm për këtë vit janë trajnuar 33 të rinjtë ndërsa janë në proces 10 të tjerë, thotë Leneda Halilaj, trajnuese për vrojtuesit e plazhit. Ajo shprehet se “çdo stacion plazhi, privat, për të marrë licence duhet të ketë në kontratë punësimin e vrojtuesit, por në terren ata nuk shihen”.


Shtuar 14.06.2024 16:43