Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Lefter Gështenja ftoi deputetët e grupit të PD-së që nuk kanë mbështetur Berishën që të diskutojnë në një darkë informale për aksionin e Grupit Parlamentar të PD-së.
Deputeti i Lefter Gështenja mësohet se kishte kontaktuar 34 deputetë për t’u bërë pjesë e takimit, por në mbledhje morën pjesë fizikisht 20 ligjvënës, ndërsa siç bëjnë me dije burimet, 8 të tjerë kishin konfirmuar se mund të konsiderohen pjesë e mbledhjes, por për shkak se ishin jashtë vendit në rast të çdo vendimi kanë konfirmuar online përmes aplikacionit të “whatsapp”. Surpriza në këtë takim ishte pjesëmarrja e disa deputetëve që deri më sot nuk kishin marrë pjesë në mbledhje si Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj apo Helidon Bushati.
Ndërkohë, pika e parë e diskutimit ishte rikonfirmimi i Enkelejd Alibeajt si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Mësohet se ka qenë deputeti Gazment Bardhi që i ka kërkuar kolegëve që të shprehen për konfirmimin e Enkelejd Alibeajt në krye të grupit dhe se atij duhet dhënë i gjithë autoriteti për përfaqësimim e grupit parlamentar. 28 deputetë ishin të unifikuar në rikonfirmimim e Enkelejd Alibeajt si kryetar grupi dhe kërkuan që ai të ketë një rol më aktiv dhe më vendimmarrës në lidhje me punën e grupit. Është diskutuar edhe nevoja e ngritjes së një minikryesie përfaqësuese për organizimin e punës dhe axhendës parlamentare të deputetëve. Fokusi i takimit të djeshëm ka qenë për organizimin e grupit vetëm sa i përket jetës parlamentare dhe se pritet të ketë një mbledhje të dytë në lidhje me organizimin në terren.
Në sesionin e ri pritet të ketë edhe ndryshime sa i përket përbërjes së deputetëve në komisione. Në mbledhjen e djeshme është diskutuar pakënaqësia që deputetët kanë pasur me Sorina Kotin, deputeten e Korçës, e cila është nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, e cila që prej fillimit është pozicionuar në krah të Berishës. Burimet bëjnë me dije se është marrë në konsideratë zëvendësimi i saj në postin e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë. Ajo është akuzuar gjatë mbledhjes se nuk informon deputetët për zhvillimet në Komision.
Edhe në takimin e djeshëm nuk ka mbetur jashtë vëmendjes ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ka qenë deputetja Flutura Açka dhe Ferdinat Xhaferaj, të cilët janë shprehur se Lulzim Basha është i mirëpritur në grupin e tyre për të dhënë kontributin. “Bashën e kemi koleg. Ai ka një kontribut dhe si koleg, si deputet mund të ketë një kontribut në grupin tonë si deputet. Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim nga prezenca e z. Basha. Eksperienca e tij është e nevojshme për grupin parlamentar”, mësohet të ketë thënë Flutura Açka. Ndërsa Xhaferi ka vlerësuar opozitarizmin e tij. “Unë kam kërkuar që të japë dorëheqjen, por ai është i domosdoshëm për opozitën dhe këtë grup. Duhet ftuar të marrë pjesë në grup mbledhje për të kontribuar. Ne duhet të fillojmë me një sjellje tjetër me një qëndrim serioz në strategjinë. Mund të delegojmë një kryesi të vogël”, është shprehur Xhaferraj.
Në takimin e djeshëm, edhe pse ishin ftuar, nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen vetëm 7 deputetë Tomor Alizoti, Grida Duma, Ervin Salianji, Zef Hila, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj dhe Xhelal Mziu.