Rrena ështe kthyer në modë! Propaganda s’bëhet më nëpër mejhane, po në resort

Nga Simon Shkreli

Kështu thoshte At’Gjergj Fishta:

“Pa pasë studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark!”

Me 1913 At’ Gjergj Fishta do shkruante një artikull shumë interesant për situaten në vend, ku rrena kishte mbrri në nivele aq të larta sa që ishte kthyer në modë. Ndërsa sot nuk e quajm më rren’ por propagandë. Madje unë si gazetar në profesionin tim e gjej veten të pa dobishem, sepse zyret e mediave të institucioneve dhe makineria e propagandës po e bënë punën më së miri. Madje edhe mediat nuk po arrijn më të shkojnë tek qytetari apo ky i fundit të shkoj tem media. Kontakti gazetar qytetar është zëvëndësuar me faqet zyrtare të facebook-ut të insitucioneve. Dhe kur e lexon At’ Gjergj Fishten situata aso kohe është e njëjtë me sot, janë si dy pika uji. I madhi Fishtë do shkruante:

“Në Shkodër si një herë në herë, rrena, pluhun, balt, kuaj e ka tana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipnia! – por punë pa të cilat Shqipnia nuk mundet me dalë në dritë pak e aspak. Njerëzit janë tuj ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se shka po u bjen nana-vida Europë. Por, për një herë prit zot veç… mizat, sepse me ç’andrra po shihen vonë a vonë do t’ju bien gja në skjep.”

Se sa po na bie në skjep prej Europës, këtë po e shohim, pasi punët e shtëpisë duhet ti ndreqim ne. Madje propaganda që në 1013 bëhej nëpër kafe e mejhane, sot bëhët nëpër kafe e mejhane dhe resorte, e më së shumti në rrjete sociale. Ku na dalin nëpër foto politikanë atdhetar të mëdhej, nëpër fusha e ara, në krye të punës, duke e shitë vetën si njerëz që nuk flejn natën për hallet e popullit. E në fakt janë e njëjta prerje e njerëzve sot si në 1913-en, të cilët At Gjergji na i përshkruan më së miri:

“E pra atdhetarët e shkretë plasën, plasën tuj folë për atdhe e tuj punu për vehte. Por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba klub me pi kafe e me ça llafe politiket.”

E ndërkohë që po të shohësh nivelet e përfaqësimit sot, nuk dallojnë shumë nga ata që bënin atëherë politikë nëpër kafe e mejhane të Shkodrës një vit pasi Shqipëria u shpall e pavarur. Të njëjtit i ke sot veçse në Facebook, sa nuk guxon të kritikosh apo të shfaqësh diçka negative sepse të turren,  madje janë edhe të dijshem. Edhe atëherë ishin të dijshem, e në fakt kjo kategori që atëherë bënte propaganden sot quhen militant.

“Oh, po! Për politikë mos pyet. Këtu politikë sa të duash. Pa pasë studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark, pa i pasë ndie kurrë emnin strategjisë, çdo tuberkuloz i keq, ba prej sëmundjet që mos me u gjetë qen që ndigjon me e hangër, flet mor ti shok për punë luftet sikur të ishte Ëellingtoni apo Napoleoni, e kaq e zgjat sa ta ban kryet për voe. Por me ba me pasë rrezik me ndejë me ndonjë asish që i asht mbushë mendja se asht i mendshëm, atëherë nuk i gjen maje vehtes; kaq dijen, filozofinë, e politikën e madhe e pështyn për goje; ta ban botën fele- fele me ba se asht tuj nda ndonjë shalqi Stajket; i ngatrron i shkatrron krajlat shoq me shoq me të thanë mendja se atëherë po, kërcet lufta e po bahet nami; por kur fundi veç në i kriset zorra e tij prej së thatit se kurrkush s’lot vendit.”

E nëse ne nuk arrijm dot të dalim nga ky qerthull propagandet dhe mediat të mos i bëjnë fresk politikës, por politika të jetë ajo që i ndjek nga pas mediat. Dhe institucionet ti shfrytëzojnë faqet zyrtare të tyre në rrjetet sociale për vete dhe punët e veta, ndërsa media të lejohet të bëjë punën e vet, ndërsa gazetarët të jenë të lirë të shkruajn për të vërtetat dhe jo për propagandë. Mendoj se edhe ne na ka ardh koha që ashtu si në vitin 1913 në “Hyll të Dritës”, Fishta vendosi të mos jepte lajme për Shkodër”:

“E tuj kenë se këtu rregullohet politika jo mbas interesash të atdheut por mbas interesash së gjithsecilit, çdo punë që ndodh kaq dredhet e shpërdredhet, e shtohet e zvogëlohet e zbukurohet sa nuk mundesh ma me e dijtë se shka asht rrenë e shka asht e drejtë. Prandaj këtu tek e përkohëshmja e jonë këtë herë nuk po vëmë lajme Shkodret tuj drashtë fort se po shkruejmë rrena, çka nuk asht në natyrë të të përkohëshmes tonë”.”


Shtuar 2.07.2023 13:31