Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka marrë lejen për protestën e radhës që do të mbahet nesër në orën 10:00 pranë bashkisë së Tiranës.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore por përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, thuhet në njoftimin e policisë.
Prej javësh grupi opozitar i Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partia e Lirisë së bashku me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit protestojnë para bashkisë së Tiranës duke kërkuar doreheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të ish drejtorëve të bashkisë të akuzuar se i kishin dhënë vetes tendera. Një tjetër mesazh që përsëritet gjatë këtyre protestave është edhe lirimi i ish kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit prej 30 dhjetorit 2023, akuzohet për ‘korrupsion’ lidhur me aferën e privatizimti të ish kompleksit Partizani.