Ditë më parë, Bordi i Administrimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”- Shkodër ka emëruar Mark Mollën si administrator të Universitetit.
Menjëherë pas emërimit të shumta kanë qenë reagimet në Shkodër. Ndër të parat ka qenë gazetarja Brunilda Dibra, e cila ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Mark Mollës si administrator i ri i Universitetit të Shkodrës, duke rikthyer në vëmendje akuza dhe dyshime nga e kaluara e tij që, sipas saj, mbeten të paqarta, shkruan Albeu.com
Të lidhura
None found
Në një postim kritik, ajo ngre shqetësime mbi integritetin dhe përgjegjësinë e figurave publike, duke e lidhur këtë vendim me fenomenin e riciklimit të emrave në institucione dhe harresën e shpejtë të opinionit publik.
Sipas të dhënave të publikuara, emërimi i Mark Mollës si administrator i Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka ngritur pikëpyetje mbi përputhshmërinë me kriteret ligjore të parashikuara në nenin 51 të ligjit për arsimin e lartë. Ky nen përcakton se administratori i universitetit publik duhet të administrojë çështjet financiare të institucionit dhe të jetë përfaqësues ligjor për to, ndërsa kandidati nuk duhet të jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as i përfshirë në abuzime gjatë administrimit të institucioneve publike.
Sipas informacioneve, Mark Molla, i datëlindjes 25 maj 1961, është dënuar me 8 vite burg nga Gjykata e Shkodrës me vendimin nr. 143, datë 2 qershor 1989, për përvetësim të pasurisë publike, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh zyrtare. Po ashtu, përmendet Raporti i Auditimit nr. 5/1, datë 17 janar 2022, i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Ujësjellës-Kanalizime Shkodër, ku evidentohen shkelje dhe problematika financiare për periudhën 1 korrik 2017 – 31 dhjetor 2021, kohë kur Molla ka mbajtur detyrën e administratorit.
Sipas këtij raporti, janë konstatuar parregullsi në disa procedura tenderuese, në administrimin e furnizimit me ujë në zonën e Velipojës, si dhe në kontrata për automjete, pajisje hidraulike dhe investime në rrjetin e ujësjellësit. Në material theksohet gjithashtu se një nga rekomandimet e KLSH për Bashkinë Shkodër ka qenë largimi i tij nga detyra.
Ndërkohë disa vite më vonë, pikërisht në vitin 2026, Bordi i Administrimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”- Shkodër ka emëruar Mark Mollën si administrator ekonomiko-financiar i unversitetit të Shkodrës, një person që ka qenë i dënuar me burg për përvetësim të pasurisë publike, shpërdorim detyre e falsifikim dokumantesh zyrtare. /albeu.com/
