Reshje intensive bore në Korçë, segmente rrugore të bllokuara dhe qindra familje pa energji elektrike

Moti i ftohtë dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin tonë, kanë bërë të mundur që në zonat malore të rritet itensiteti i reshjeve të borës. Kjo situatë përveçse ofron një pamje magjepsëse të natyrës, njëkohësisht shoqërohet edhe me problematika të tilla si vështirësi në qarkullim, apo mungesë të energjisë elektrike për qytetarët.

Aktualisht vështirësi në qarkullim raportohen në segmentin rrugor Shtyllë-Panarit në zonën e Korçës, pasi reshjet e dëborës aty kanë arritur deri në 60 cm.
Momentalisht segmenti rrugor është në gjendje të kalueshme për shoferët e mjeteve, pasi dy fadroma po punojnë për hapjen e rrugës, por kalimi behet vetëm me zinxhirë. Ndërsa në segmente të tjera të qarkut, nuk paraqiten probleme, por shoferët duhet të jenë të pajisur me goma dimërore.

Po ashtu bëhet me dije se për shkak të motit të keq rreth 500 familje në gjithë qarkun janë pa energji elektrike, ndërsa disa grupe të OSHEE-së po punojnë në terren për rikthimin e energjisë.


Shtuar 8.01.2024 23:59