Reformë e inspektoriateve, Rama: Bizneset korrekte s’do kontrollohen! Të ketë më pak inspektime, më shumë këshillim!

Kryeministri Edi Rama ishte sot në një takim në ‘Shtëpinë e Biznesit’ me përfaqësues të biznesit për të folur rreth reformës së re për inspektimet e bizneseve. Rama vlerësoi arritjet e këtyre viteve, megjithatë mbetet shumë për t’u bërë, pasi shpesh bizneset janë viktima të gjobave të inspektorëve.

‘E keqja është krijuar për të bërë dëm të madh por për tu harruar shpejt. E mira për të mos qenë asnjëherë mjaft. Njeriu është krijuar që të keqen ta harrojë ndërsa me të mirën të ketë gjithnjë konflikt, sepse kërkon më shumë. Nga sa larg kemi ardhur deri këtu. Çfarë marrëdhëniesh kemi patur mes shtetit dhe biznesit? Krijimi i strukturave dhe i mekanizmave që e bëjnë raportin mes shtetit dhe qytetarit të bazuar tek e vetmja alternativë, që do të thotë se shteti nuk bën dot pa qytetarin dhe në mes nuk ka alternativ korrupsioni’, thotë Rama.

Kryeministri e shikon reformën në inspektimin dhe vendosjen e masave administrative ndaj bizneseve shkelëse është një luftë për shtet-bërje.

‘Kjo luftë është një luftë shtet bërje që hap pas hapi, hapësira e ndërveprimi mes shtetit dhe qytetarit dhe hapësira e korrupsionit të ngushtohet. Sot jemi ku e ku me ku ishim. Por kemi akoma nevojë për të shtyrë përpara me durim dhe vendosmëri që hapësira e këtyre marrëdhënieve të zgjerohet tërësisht dhe shtigjet e penetrimit të korrupsionit të ngushtohen në pikën kur nuk është më fenomen shqetësues. Dhe për këtë kemi marrë nismën e fundit në Kuvend, për të adresuar në vijimësinë e të gjithë sektorëve të gjitha pikat e dobëta që kërkojnë adresim të ri. Na ndihmon shumë procesi i negociatave dhe dija e fituar por edhe eksperienca e BE’, theksoi Rama.

Rama foli për një rol të ri të inspektorit të biznesit dhe një ristrukturim të ri të inspektoriateve.

‘Sot është një pikë e dobët, pavarësisht investimeve që janë bërë, në inspektime. Por nga ana tjetër e dimë shumë mirë që ky presion vijon të jetë dhe nuk mund të justifikohet pasi mund të bëjmë një kapërcim tjetër. Një reformë e inspektoriateve. Një shkurtim i rëndësishëm i numrit të tyre. Një bashkim i një sërë funksionesh që janë të ndara, në një grup inspektoriatesh, një shkëputje nga ministritë për të dalë si një forcë e re dhe autonome në veprimtarinë e vet nën ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit. Të krijojmë bazën për një fazë të re duke ndryshuar qasjen por edhe përmbajtjen e kornizës së shtetit në figurën e inspektorit, në një status të ri’, shton kryeministri.

Kryeministri tregoi edhe se ankesat do të bëhen tashmë edhe në prani të përfaqësisë nga trupat e biznesit për të rritur transparencën, pasi shteti është për t’i shërbyer biznesit dhe jo e kundërta.

‘Nuk do të jetë një trup që edhe do vendos gjoba dhe të marrë në shqyrtim ankesa. Ankesat do të bëhen edhe me trupat e apelimit në përfaqësinë e trupave të bizneseve, për të krijuar një barrikadë që të mos kapërcehet dot. Përtej kësaj, do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Nuk është biznesi për ti shërbyer shtetit, është shteti për ti shërbyer biznesit. Do të jetë shteti që do të hedh gjithmonë hapin e parë, për të shkuar më larg në procesin e shtet bërjes dhe më pranë krijimit të një shteti anëtar të BE, vizita e parë nuk ka gjobë, këshillim’, nënvizoi kryeministri.

Rama tha se bizneset korrekte në raport me shtetin nuk do të kontrollohen, pasi nuk ka kuptim shumë kontrolle dhe shumë gjoba.

‘Klasifikim i bizneseve. Bizneset korrekt në raport me shtetin nuk do të kontrollohen,. Do jenë zonë e ndaluar për inspektim. Kanë treguar në një proces kohor që i janë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte. Të ketë më pak inspektime, më shumë këshillim. Goditje katastrofike për biznesin që nuk futet në binar. Aty ku vihet gjoba do jetë goditje, një hap larg vdekjes së atij biznesi. Nuk ka arsye për të kontrolluar gjithë dynjanë edhe për të vënë gjoba’, tha Rama.


Shtuar 14.05.2024 16:27