Parku i Liqenit Artificial të Tiranës vitet e fundit është kthyer në destinacionet më të preferuara për qytetarët e Tiranës.
Investimet e bashkisë së Tiranës e kanë transformuar këtë park jo vetëm me korsitë e biçikletave, molin e varkave, por edhe duke krijuar kënde sportive dhe argëtuese, të cilat frekuentohen nga qytetarë të moshave të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga Parku i Madh, të cilin e cilësoi një oaz të qetë të Tiranës.
Investimet në rrugë, ndërtimi i parqeve për fëmijë, shtimi i pemëve, sistemimi i koshave të mbeturinave, këndet sportive, lulishte dhe ndriçimi e bëjnë parkun, destinacion të preferuar për kryeqytet.
Shëtitorja e re me pista pedalimi e vrapimi me rrjet të ri ndriçimi, rrugicat ndërlidhëse, palestër në natyrë, si dhe fusha multisportive janë kthyer në atraksione për qindra kryeqytetas. Parkut të Liqenit i është shtuar edhe Pagoda, një objekt origjinal që sjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri, duke shërbyer si vend relaksi dhe bisedash mes miqve.
Në park është rikonstruktuar edhe moli i Liqenit të Tiranës, ku veç shkallëve u bë ndërtimi i tij nga e para. Për të qenë i aksesueshëm edhe në orët e mbrëmjes, ai është pajisur me sistem ndriçimi, ndërsa nuk mungon as gjelbërimi.