Rama në Vlorë: Ekonomia, drejtësia edhe pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë mund të bien përsëri në një “status-quo” pa një PS të fortë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte sot në Vlorë për të ndjekur procesin e rienergjizimit të PS me organizatat socialiste 4454 dhe 4547, që vijon me anëtarësime të reja.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “ne kemi bërë progres në ekonomi, por nëse ekonomia është më mirë se çka qenë ndonjëherë tjetër, progresi është i pamjaftueshëm, sepse krahasimi me të djeshmen është i pamjaftueshëm”.

“Në duhet ta fuqizojmë më tutje ekonominë dhe të bëjmë gjërat e duhura në sektorët ku e dimë shumë mirë që ka një potencial shumë të madh për të marrë më shumë të ardhura për vendin dhe për njerëzit mbrapa”, tha Rama.

“Ne kemi bërë një progres të rëndësishëm me drejtësinë, por dimë shumë mirë që nëse sot drejtësia ka dalë nga kontrolli i pushtetit ekzekutiv, kjo është një premisë absolutisht e domosdoshme që ajo të forcohet dhe të kthehet në një sistem që garanton drejtësi për të gjithë dhe është larg së qeni në pikën ku mund të konsiderohet një progres i sigurt”, theksoi Rama.

“Qoftë ekonomia, qoftë drejtësia, qoftë edhe pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë, që sot është më i mirë se çka qenë ndonjëherë në historinë e vetë, mund të bien përsëri në një ‘status-quo’ në rastin më të mirë, që do të ishte kthim mbrapa, sepse ndërkohë të tjerët ecin me shumë shpejtësi. Dhe për këtë duhet një PS e fortë dhe një PS e vetëdijshme për çfarë peshe ka organizmi i saj në mënyrën si funksionon organizmi i të gjithë vendit”, theksoi Rama.


Shtuar 15.03.2024 20:31

Tags: , ,