“PS lojë me largime dhe rikthime në punë të punëtorëve”, Salianji: Kurum po luan me të ardhurat e 500 familjeve në Elbasan

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar për fabrikën e materialeve plastike që po digjet në Elbasan. Ai shkruan në Facebook se kompania bashkëpunonte me qeverinë për “helmet”, e ndërsa sot janë prekur 500 punonjës.

“Veprimtaria dhe bashkëpunimi kriminal mes qeverisë dhe Kurum nuk është vetëm tek helmet por u shpërfaq e plotë sot dhe në kurriz të 500 punonjësve dhe familjeve të tyre! Në 1 dhe 15 Gusht, kompania Kurum mbylli fabrikat e prodhimit të çelikut dhe petëzimit, duke larguar 500 punonjës nga puna. Megjithëse lajmi u bë publik në kulmin e skandalit të mbetjeve toksike të nisura nga Shqipëria, kompania deklaroi se këto largime kanë të bëjnë me vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga ulja e çmimit të çelikut dhe rritja e kostove.

Kompania merrte përsipër asokohe që do të vazhdonte të paguante punonjësit edhe për 3 muaj pas largimit.
Ndërsa sot, pas disa “negociatave” të suksesshme, kryetari i Bashkisë Elbasan, u shfaq “triumfator” duke premtuar se asnjë punonjës nuk do të largohet dhe do të vazhdojnë të marrin një pagë 35 mijë lekë bruto në muaj, më të ulët se edhe paga minimale 40 mijë lekë në muaj e parashikuar me ligj. Si pa të keq, kryebashkiaku si përfaqësues i PS pranoi se kjo është një situatë e përsëritur, ku 500 familje jetojnë në pasiguri për të ardhurat e tyre.

Të dhënat zyrtare tregojnë se xhiro vjetore për vitin 2023 të shoqërisë Kurum ishin 377.3 milionë euro, ndërsa fitimi ishte 52.8 milionë euro, çka nuk duket të jenë aspak treguesit e një shoqërie në vështirësi ekonomike apo në pamundësi për të shlyer detyrimet ndaj punonjësve të saj. Por, loja me largime e kthime në punë, me ndërhyrjen e eksponentëve të Partisë Socialiste, ka për qëllim përfitimet politike duke mbajtur varur fatin ekonomik të 500 familjeve të Elbasanit.

Megjithëse mediat raportuan gjërësisht mbi “zbarkimin” e Inspektoriatit të Punës në ambientet e Kurumit në Elbasan për të hetuar largimet masive, deri më tani asnjë raport apo konkluzion nuk ka dalë nga këto “hetime”. Duket se institucionet shtetërore kanë vendosur të heshtin, ashtu siç heshtën në rastin e transportimit të mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit.

Por, nëse Qeveria, Bashkia dhe Kurum kanë vendosur të luajnë me të ardhurat e 500 familjeve të Elbasanit për interesat e tyre politike, Partia Demokratike është në krah të punëtorëve dhe do të bëjë gjithçka mundet për të siguruar se askush nuk mund të tallet me punën dhe dinjitetin e tyre“, shkruan ai.


Shtuar 4.09.2024 17:17

Tags: ,