Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme 3 ligje të qeverisë dhe bëhet fjalë për ligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, “Për regjitstrimin e biznesit” dhe “Për noterinë”.
Në arsyetimin e tij, Meta sqaron se; “Këto ndryshime ligjore vlerësohen, për aq sa synojnë të realizojnë, zbatimin e rekomandimeve të FATF-së dhe MONEYVAL-it, të cilat kërkojnë që Shqipëria të krijojë mekanizma për sigurimin e një numri sa më të lartë të subjekteve raportuese, që regjistrojnë të dhënat e pronarëve të tyre përfitues.”.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
11 shkurt 2022
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar ditën e sotme shpalljen e paketës ligjore të mëposhtme:
-Ligj nr. 6/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar”.
-Ligj nr. 7/2022 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar”.
-Ligj nr. 8/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 110/2018 “Për noterinë””.
Këto ndryshime ligjore vlerësohen, për aq sa synojnë të realizojnë, zbatimin e rekomandimeve të FATF-së dhe MONEYVAL-it, të cilat kërkojnë që Shqipëria të krijojë mekanizma për sigurimin e një numri sa më të lartë të subjekteve raportuese, që regjistrojnë të dhënat e pronarëve të tyre përfitues.
Forcimi i standardeve, në përputhje me standardet ndërkombëtare, që nxisin zbatimin efektiv të masave ligjore, rregullative dhe operacionale për luftën kundër pastrimit të parave, dhe financimit të terrorizmit duhet të jenë prioritet për vendin.