Një 35-vjeçar është arrestuar në Laç pasi kishte përshtatur lokalin e marrë me qira, me 8 makineta, 18 kompjuterë dhe celularë, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjithashtu në pranga ka rënë edhe 1 shtetas që u kap duke luajtur në lokal. Ndërsa po procedohet në gjendje të lirë pronari i ambientit.
Policia ka sekuestruar pajisjet dhe një shumë parash, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në një lokal në lagjen nr. 4, Laç, luheshin lojëra fati, me pajisje të ndryshme, Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Forbidden”.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e lokalit, në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga qiramarrësi i lokalit, shtetasi E. M., 35 vjeç dhe shtetasi Xh. V., 31 vjeç, i cili u kap në flagrancë, duke luajtur lojëra fati, në këtë ambient. Në vijim të operacionit nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, shtetasin P. L., 66 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.