Gentjan Pjetri i njohur si “Doktori i Fiksit”, ka rrëqethur me rrëfimin e tij, në lidhje me punën që ka bërë në “Top Channel”, por edhe për jetën private.
Ai ka rrëfyer se si është dashur të tërhiqet nga ekrani.
Në një intervistë për “Të Harruarit” në “Syri Tv”, ai i prekur, rrëfen se ishte alkooli shkaku kryesor që e hoqën nga ekrani, ndërsa thashethemet dhe ironitë brenda “Top Channel” e kishin përkeqësuar edhe më tepër gjendjen e tij.
Pjetri thotë se e ka tepruar me alkoolin, por më e rëndë ishte ishemia që ka pësuar nën presionin e situatës së krijuar brenda televizionit ku punonte.
Pasojat janë të dukshme, ka vështirësi në të folur.
“Nuk është se u shkëputa nga ‘Fiks Fare’, por unë u bëra armiku i vetes sepse më pëlqente ta pija një gotë raki, por jo ta teproja. Por ja që kur shkoja në punë gjeja një shprehje që thoshin… dhe aty e tejkalova sepse nuk e duroja më atë lloj shprehjeje. S’ja vlen të flas shumë sepse personi që e ka bërë atë muhabet e di shumë mirë atë muhabet dhe ai e di. Kur ta shohin le të flasin. E dua shumë. E për të mos luajtur mendsh e mos të kaloja në depresion detyrohesha të pija pak më shumë seç duhet. Kjo nuk është zgjidhje, nuk është e drejtë, por kam heq e kam vujt, si shumë të tjerë. Ama di të them vetëm diçka… në qoftëse do të dënosh një aktor, hiqe nga skena. Në momentin që mua më hoqën nga ekrani unë kalova në ishemi cerebrale”, rrëfen Pjetri.