Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë seancës së sotme plenare ka hedhur akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama se po shfrytëzon planin e menaxhimit për të ndërtuar vila dhe resorte në zonat e Parkut të Butrintit.
Berisha ka theksuar se këto zona janë me pasuri të jashtëzakonshme, mandje duke iu referuar studiuesve ai u shpreh se aty ka edhe foka mesdhetare.
“Sot këtu diskutohet për njërën nga pasuritë më përrallore të tokës shqiptare, diskutohet për parkun e Butrintin në të cilin janë gërshetuar pasur mahnitëse, ndoshta si në asnjë park tjetër në Evropë dhe më gjerë. Me pasuri të jashtëzakonshme veçanërisht shpendë shtegtare.
Krahas kësaj zone është zona A2, e cila është një nga zonat me biodiversitetin më të lartë në Evropë, Kepi i Stillës. Kjo zonë ka përveç llojeve të pafundme të specieve ka edhe specie endemike, thellësisht të mbrojtur. Studiuesit besojnë se aty ka edhe foka mesdhetare. Këtu tek zona nën ujore dhe te zona e bregut ka objekte arkeologjike të një vlerë të paçmuar. I gjithë territori është me gjetje të rëndësishme arkeologjike. Ka edhe zona rekreative. Ku qëndron shkaku, problemi themelor i kësaj marrëveshje ndër më shkatërrimtaret për pasurinë tonë kombëtare. Çfarë ka bërë Edi Rama në këtë rast. Edi Rama, duke shfrytëzuar një plan të menaxhimit të zonës A3 ka nxjerrë jashtë parkut, ka parashikuar të ndërtojë 620 vila në Kepin e Stillës, ka parashikuar të ndërtojë resorte të mëdha turistike në Gjirin e Manastirit”, u shpreh Berisha.