“Pa votë të lirë nuk ka dinjitet”, Berisha: Në rrugën e ‘Shpresës’ po përballet mbrojtja e interesit kombëtar me regjimin e Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, ka deklaruar para mbështetësve se në rrugën e “Shpresës”, siç e etiketon ai rrugicën ku ndodhet banesa e tij, po përballet mbrojtja e interesit kombëtar të shqiptarëve, Edi Ramën.

Ai u shpreh se pa votë të lirë nuk mund të ketë dinjitet njerëzor apo kombëtar, ndërsa i quajti simpatizantët e tij luftëtarë e misionarë të të ardhmes së vendit.

“Në ‘rrugën e Shpresës’ në betejën tuaj janë burimet më kryesore të inkurajimit, të trimërimit, të shqiptarëve, të ndriçimit të mendjes dhe zemrave të tyre.
Të dashur miq!
Në një kohë të shkurtër me qëndresën tuaj, guximin tuaj, ju u shndërruat në burimin më kryesor të shpresës së shqiptarëve, sepse ju po zhvilloni një betejë pa kthim, një betejë të drejtë.
Këtu në rrugën e shpresës përballet përpjekja e madhe e juaja për mbrojtjen e lirisë dhe pluralizmit me monizmin e shëmtuar, me armikun e egër të lirive dhe dinjitetit njerëzor.
Këtu në këtë rrugë përballet mbrojtja e interesit kombëtar të shqiptarëve, me armikun e egër të qenies së shqiptarëve, interesit të tyre kombëtar, me Edi Ramën, regjimin e tij që po përzënë shqiptarët çdo javë, muaj si një pushtim i egër nga vendi i tyre.
Këtu në këtë rrugë, në rrugën e Shpresës përballen çdo natë antikorrupsioni i njerëzve të ndershëm, që jetojnë me djersën e tyre, i njerëzve të guximshëm që vërsulen kundër hajdutëve të qeverisë me në krye Edi Ramën.
Përballet antikorrupsioni me korrupsionin më gjigant që sot ka Europa.
Përballet antikorrupsioni me me hajninë, vjedhjen më të madhe që u bëhet qytetarëve në Europë, qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama.
Sot në rrugën e shpresës ju zhvilloni një betoj para së gjithash për dinjitetin tuaj, të shqiptarëve.
Pa votë të lirë nuk ka dinjitet njerëzor, nuk ka dinjitet kombëtar.
Me kauzën tuaj të drejtë, me idealet fisnike që mbroni, me vizionin kthjellët që keni, ju jeni luftëtarë, misionarë të të ardhshmes së Shqipërisë, të Shqipërisë së fitores, të Shqipërisë së shpresave të rinjve shqiptarë, ëndrrave të tyre të bukura”, u shpreh ai.


Shtuar 26.01.2024 19:22