Operacioni ku u arrestua Fredi Beleri, policia e Vlorës: Po bliheshin vota në Himarë, sekuestrohen 40 mijë lekë

Policia e Vlorës ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me operacionin “Matrix”, ku u arrestuan për vjedhje votash, kandidati për kryebashkiak i “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri, një avokat dhe dy eskponentë politikë.

Në deklaratën për shtyp, Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë Auel Zarka tha se nga hetimet, ka rezultuar se u janë ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/2241371726049968

Deklarata:

Përshëndetje,

Më datë 08.05.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 489, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal.

Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Dh. B. alias A. B., 51 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj.

Hetimet vazhdojnë./albeu.com