70 vjet më parë u përurua Kinostudio “Shqipëria e re”, një kinema unike dhe e rëndësishme, që krijoi qindra karaktere, ilustroi mijëra vende e ngjarje. Sot ajo mbetet burim i rëndësishëm studimi për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të 70 viteve të fundit.
Me këtë rast u mblodhën mbrëmjen e djeshme në një ceremoni festive aktorë, regjisorë, skenaristë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar.
Emra të njohur të kinematografisë si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Piro Milkani, Iliri Butka ishin te pranishmen dhe si rrallehere te mbledhur bashke.
Filmi “Tana” është filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 1958 nga “Shqipëria Film”, e transformuar më pas në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Premiera e tij u shfaq më 17 gusht 1958. Filmi ishte me regji të Kristaq Dhamos, skenar të Fatmir Gjatës e Nasho Jorgaqit dhe muzika nga Çesk Zadeja.
Në rolet kryesore ishin aktorët Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka e Kadri Roshi. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tana përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj si dhe xhelozinë e Lefterit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.