Duke nisur nga 1 marsi, do të hyjë në fuqi tregu i përbashkët mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, dje nga Shkupi ka bërë të ditur se nisma “Ballkani i Hapur” vazhdon ende.
Ndaj edhe dje u firmosën edhe dy protokolle në mes të tri shteteve anëtare, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duke nisur nga kjo datë, punëtorët do të lëvizin lirshëm në të tre shtetet.
“Kemi pasur disa gjëra të rëndësishme, gjithmonë ka detaje të pakëndshme, por nuk dua të flas për këtë. Dhe këtë e kemi pritur me muaj të tërë, që do të thotë se nga 1 marsi më në fund duhet të hyjë në fuqi ajo për të cilën folëm, që është një treg krejtësisht i lirë i punës në vendet e Ballkanit të Hapur – Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një lajm i madh dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do të kontribuojë shumë në krijimin e një ambienti më të mirë biznesi për kompanitë vendase dhe të huaja, për të kapërcyer problemin me mungesën e fuqisë punëtore dhe për krijimin e një tregu pune që është jo më gjashtë apo shtatë milionë banorë, por nëse shtoni Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne po i afrohemi 11 milionë banorëve”, -tha Vuçiç.