Biznesmeni Gazmend Haxhia është arrestuar ditën e sotme në Rinas.
Mësohet se Gazmend Haxhia, është vënë në pranga sapo ka zbritur nga avioni pasi ai ishte shpallur në kërkim si pjesë urdhër-arresteve që SPAK lëshoi edhe ndaj Ilir Beqajt të akuzuar pë abuzim të fondeve të Bashkimit Europian “SASPAC”.
Ndaj biznesmenit Haxhia është vendosur masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, por në momentin që ndodhen arrestimet Haxhia ndodhej jashtë shtetit.
Sipas SPAK, Ilir Beqaj në bashkëpunim me vartësin e tij, Ermal Kurtulaj dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive, në të paktën 8 tendera nga SASPAC. Gjitashtu sipas Prokurorisë së Posaçme, Ilir Beqaj ka kryer deklarim të rremë pasurie në vitin 2020, ku nuk ka deklaruar interesat tek restoranti “Gzona” tek Kalaja e Tiranës, si dhe automjetin që e kishte në emër të Ermal Kurtulajt.
Përveç Beqajt dhe Kurtulajt gjykata ka vendosur arrest shtëpie edhe për Alfred Nikolla i cili kishte postin e drejtorit Administrativ të një kompanie me emrin “Landways International” e cila është përdorur për këtë skemë përfitimi.