Nga: Dr. Irena Myzeqari
Half truth… or a deceptive statement that includes some element of truth…created with the intent to deceive, evade, blame or misrepresent the truth…
Influencuesit ose ndryshe ndikuesit janë një kategori e re identitare e botës online. Edhe pse në dukje cilësohen edhe vlerësohen vetëm si një mjet i sofistikuar marketingu, fuqizimi i tyre me ritme të shpejta, është bërë burim shqetësimi për studiuesit e komunikimit dhe medias, të cilët përherë e më shumë janë duke artikuluar nevojën për të thelluar kërkimet lidhur me efektet që ky identitet i ri profesional po ushtron mbi përdoruesit. Studimet pohojnë se ndikuesit i përdorin platformat e rrjeteve sociale në mënyrë strategjike, duke synuar vendosjen e besimit midis tyre dhe ndjekësve, besim i cili më pas impakton ndjeshëm sjelljet konsumatore me anë të origjinalitetit dhe ngjashmërisë.
Ndërkohë që shumë influencues i përdorin platformat e tyre për të ndarë informacione të vlefshme, të dhënat tregojnë se as ata nuk kanë qenë imunë ndaj të jetuarit në epokën e post-truthit, duke e gjetur kështu veten të kapur brenda një vorbulle, ku duket se lajmet e rreme, keqinformimi dhe dizinformacioni, falë besimit të ndërtuar, kanë gjetur rrugën më të shkurtër, për t’u përhapur në mendjet dhe jetët e përdoruesve. Nisur nga ky konstatim, ky shkrim priret të sjellë në vemendje këtë lidhje të komplikuar midis ndikuesve dhe keqinformimit, për të kuptuar më shume se si ata janë “infektuar”, apo akoma më keq si po instrumentalizohen, për t’i dhëne jetë një të keqeje më të madhe se gënjeshtrës, për t’i dhënë jetë të vërtetës së pjesshme.
#Yjet në ngjitje…
Ndikuesit janë individë, të cilët kanë mbledhur rreth vetes një grumbull përdoruesish dhe që kanë fuqinë të formësojnë sjellje, opinione dhe qendrime me anë të përmbajtjes që krijojnë apo shpërndajnë online. Ata janë një mekanizëm më shumë i “persuazionit masiv” të hapësirës virtuale, të cilët e përdorin popullaritetin e tyre për të ndërvepruar me një numër të konsiderueshëm ndjekësish, të cilët, sipas literaturës së fushës, priren t’i ndjekin ata në platformat sociale në bazë të ngjashmërisë, origjinalitetit, famës apo edhe tërheqjes. Popullariteti dhe ndërveprimi u jep atyre mundësinë të arrijnë dhë të influencojnë shpejt audienca të jashtëzakonshme, ndërsa 4 elementët vijues, përgatisin terrenin ku ndjekësit dhe influencuesit ndërtojnë besimin.
Falë kësaj besueshmërie të perceptuar, ndjekësit i shohin ndikuesit si burime të vlefshme informacioni, besueshmëri e cila duket të amplifikohet më shumë nga një sens intimiteti që të falin tool-sat e platformave sociale si FaceBook, Instagram apo TikTok, të cilat krijojnë iluzionin e një raporti të afërt komunikativ midis tyre. Të profilizuar në fusha specifike, si shëndet, financë apo stil jetese, ndikuesit po fitojnë përherë e më shumë terren në shpërndarjen e informacionit, duke arritur të depërtojnë deri tek hirearkitë më të larta të medias tradicionale dhe asaj sociale, fitore e cila po rezulton e lehtë veçanërisht me gjeneratën Z, të cilët konsumojnë informacion thuajse vetëm nga rrjetet e sipërpermendura.
Nën këtë atmosferë, ndikuesit kanë kuptuar se ata janë shumë më shumë sesa thjesht një tool marketingu dhe tanimë identikiti i tyre po bëhet relevant edhe brenda eko-sistemit të koklavitur politiko-informativ. Ajo ç’ka ndodh në këtë moment është një film i paraparë më herët nga studiot e lajmeve; presioni për të ruajtur pozitat, kombinuar me viralitetin e rrjetit që kërkon ndërveprim të vazhdueshëm, po i bën ndikuesit të rrëshqasin përherë e më shumë drejt qorrsokakut, të detyruar të ndajnë përmbajtje sencacionale ose kontraversiale, në kurriz të së vërtetës.
…bëhen #burim keqinformimi.
Hutimi i audiencave me anë të informacionit nuk është risi. Megjithatë, në epokën e komunikimit virtual, platformave të rrjeteve sociale dhe pafundësisë së mjeteve digjitale, tanimë të amplifikuara edhe nga prezenca e AI, është bërë thuajse e pamundur të shpëtosh paq, në secilën prej istikameve ku ndodhesh, si ndjekës apo ndikues. Ky realitet është veçanërisht prezent në vendet e Europës Lindore, Shqipëria përfshirë, të cilat janë kthyer në arena pëplasjesh virtuale dhe shpesh herë kanë qenë viktima të operacioneve strategjike të informacionit.
Studiuesit dhe kërkuesit në këtë fushë, pohojnë se algoritmi ka kapacitetin të amplifikojë përhapjen (reach) dhe ndikimin që ka dizinformacioni dhe keqinformimi, duke i bërë ndjekësit të konsumojnë dhe shpërndajnë përmbajtje pa e verifikuar atë, dukuri që shtohet kur bëhet fjala për një informacion apo përmbajtje që vjen prej ndikuesve, tek të cilët ata kanë ndërtuar besim dhe kanë gjetur ngjashmëri.
Konkretisht, loja hapet kështu.
Së pari, ndikuesit paguhen për të promovuar ide apo produkte. Ndaj, për pak më shumë monedha frëngu, në shumë raste ata kanë promovuar trajnime mjekësore të pa provuara apo edhe dieta/manuale ushqimi, pa pasur asnjë mbështetje në terma apo studime shkencore të qenësishme. Së dyti, ndikuesit janë qenie politike njëlloj si ne, ama në dallim nga ne, ata kanë mundësinë që opinionet e tyre, subjektive apo edhe problematike, t’i bëjnë pjesë të diskurit që zhvillohet në hapësirën virtuale. Shpesh partitë politike, përdorin profilet e këtyre ndikuesve për të arritur tek audiencat, të cilat nuk mund t’i arrijnë me anë të kanaleve të tjera të komunikimit tradicional. Mekanizmi i manipulimit shkon akoma tej, sepse tanimë influenca matet me sistemet metrike dhe në bazë të kalkulimeve, si makro influencer apo nano influencer qofsh , mund të përdoresh në funksion të shpërndarjes së qendrimeve të shtrembëruara politike, të cilat nuk lidhen vetëm me politikëbërjen por edhe me nocione të politikës kulturore si bukuria, estetika apo seksualiteti, si edhe me ato të politikës financiare, shëndetësore etj etj.
Kulminacioni i lojës është viraliteti.
Fale efektit të Bubble filters dhe të Echo Chamber , ndjekësit bashkë me follower-sat e tyre, janë duke krijuar komunitete virtuale, të cilët mendojnë dhe veprojnë njëlloj. Të kapur brenda sindromës të group-thinking, dhe besimit gati-gati hyjnor tek gurutë e tyre, ata marrin përsipër të bëhen “spaçatorët” e vegjël të të vërtetave të pjeshme, të cilat konsumohen pastaj pasivisht nga mijëra të tjerë, nën idenë e gabuar se po marrin informacion të vlefshëm. Siç thotë edhe Herbert Simon: “Pasuria informative, krijon varfëri në vemendje”, ndaj sot, piramida e vlerave në çdo fushë ka rënë dhe kushdo ka të drejtën të promovojë një teori ekonomie, të përhapë kura popullore të pa dëgjuara më parë, apo akoma më keq, të bëhët burim konspiracioni e njerëzit të fillojnë të dyshojnë akoma nëse toka është apo jo e sheshtë.
Të dhënat tregojnë një prezencë të shtuar të sjelljeve problematike ndër konsumatorë, ku shumë prej tyre, nën efektin e informacioneve gjysmë të vërteta që marrin nga rrjetet sociale dhe specifikisht ndikuesit, kanë përqafuar trende të rrezikshme, jo vetëm për veten e tyre por edhe komunitetin. Vihet re një tendencë në rritje e dasive politike, të cilat po gërryejnë besimin ndër institucionet, të mirën publike dhe proceset demokratike. E fundit por jo më pak e rëndësishme, është dëmtimi ekonomik, i cili është një dinamit që pritet të plasë nga momenti në moment, për shkak të idesë, tashmë të përqafuar nga kushdo, se online bëhen para pafund, duke bërë që të promovohen modele të reja të suksesit apo karrierës, efektet keqinformuese të të cilave, do të duan gjenerata të shbëhen ndër qytetarë.
….Talut (ët) përballë Xhalutit
Sot Xhaluti/ është “The Hype machine”, ndërsa Talutë ka përherë e më pak. Sinan Aral, studiues i rrjeteve sociale, në MIT, pohon se… “nga kërkimi thuajse 20 vjeçar në këtë fushë… ka kuptuar se media sociale mund të jetë një valë e jashtëzakonshme produktiviteti, inovacioni dhe progresi dhe në të njejtën kohë, nëse nuk kontrollohet, të hedhë në erë demokracinë , ekonominë dhe sistemin shëndetësor”. Thënë kjo, ka një nevojë emergjente vetërregullimi prej platformave sociale, si FaceBook, Instagram dhe TikTok, që të forcojnë politikat e tyre, për mos lejimin e përhapjes së keqinformacionit.
Kjo lloj llogaridhënieje me siguri do të ketë efektin e saj domino edhe tek vetë ndikuesit, të cilët do të duhet të jenë më të vetëdijshëm rreth rolit të tyre si opinion formues, duke kuptuar se nuk mund të fshehin përgjegjësië e tyre pas justifikimit të marketingut. Adresimi i kësaj çeshtjeje kërkon një bashkërendim të disa aktorëve, si platformat e rrjeteve sociale, nismat rregulluese si edhe të vetë ndikuesve, të cilët duhet të jenë realisht të interesuar për të mos u bërë instrumenta në duar të gabuara.
Në kohën kur të qenit Talut, kërkon një reflektim etik të të gjithë sistemeve të besimit dhe veprimit në këtë shoqëri, Xhaluti operon i lirë, në një hapësirë që premtonte shumë, por shpejt u kthye në armë të shkatërrim në masë. Ndaj, sot luftën midis të mirës dhe të keqes, po e fiton gjysmë e vërteta, e cila filozofikisht operon si mola, ti vijon në këmbë, ama themelet nga çasti në çast do të bëhen shkrumb e hi.