Merr fund arbitrazhi, Shqipëria duhet t’i paguajë 110 milionë euro Becchetit.
Gjykata ka refuzuar rekursin e qeverisë Rama dhe i ka dhënë të drejtë televizionit të biznesmenit italian Francesco Becchetti duke lënë në fuqi vendimin e marrë më herët.
Në një vendim të marrë më 29 mars, një gjykatë e përbërë nga shtetasi amerikan Grant Hanessian si kryetar, Robert Anderson KC i Mbretërisë së Bashkuar dhe Charles Poncet i Zvicrës urdhëruan rrëzimin e përshpejtuar të kërkesës për rishikim nga ana e Shqipërisë si qartazi pa merita ligjore.
Gjykata argumentoi se në kërkesën e Shqipërisë nuk kishte vërtetuar se kishte marrë dijeni për ndonjë fakt të ri që nga vendosja e dëmshpërblimit në vitin 2019.
Çështja u hap në Gjykatën e arbitrazhit në vitin 2015, ku paditësit pretendonin se ishin viktima të një fushate të motivuar politikisht që synonte investimet e tyre në sektorët e medias, hidroenergjisë dhe menaxhimit të mbetjeve të vendit.
Fushata e supozuar përfshinte procedime penale shqiptare kundër Becchettit dhe drejtuesve të tjerë. Sipas pretenduesve, masat u nxitën nga kritikat ndaj qeverisë nga stacioni i tyre televiziv Agon, i cili u mbyll dhe pajisjet iu sekuestruan.
Shqipërisë përveç shumës prej 110 milionë euro të vendosura në vendimin e parë, i shtohet edhe detyrimi prej 145 mijë euro si detyrime për rihapjen e çështjes./Albeu.com/